Të shtëna me armë zjarri raportohen gjatë një patrullimi rutinë rreth orës 15:10 në lagjen “Guerrile” apo “Kiras” në Shkodër, e njohur ndryshe si bastion i grupit të Ibrahim Licit. Policia i ka bërë shenjë ndalimi një automjeti që po lëviznin 2 persona, me qëllim kryerjen e kontrollit.

Megjithatë, drejtuesi i makinës nuk i është bindur urdhrit të policisë, ka shtuar shpejtësinë e makinës dhe ka kryer manovra të rrezikshme. Kaq ka mjaftuar që blutë t’i vihen në ndjekje, kohë në të cilën pasagjeri në këtë makinë, duke u larguar, ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri dhe është larguar.

Policia ka mundur të kap drejtuesin e automjetit, për të cilin policia nuk bën publik inicialet prej konfidencialitetit të hetimit. Dyshohet se personi në fjalë është me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur më herët në kërkim nga policia. Dhjetëra forca policia kanë mbërritur në vendngjarje duke rrethuar zonën ndërsa vijon operacioni duke blinduar me efektivë dhe masa të rrepta sigurie.

“Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.

Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar.

Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit.

Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lajmi në përditësim...