SHKODER- Shkolla 9-vjeçare “Ali Laçej” në qytetin e Shkodrës prej kohësh nuk ka fare ngrohje. Mungesa e ngrohjes ka detyruar disa nxënës të klasave të 6-ta, 7-ta, 8-ta dhe 9-ta që të bojkotojnë procesin mësimor. Shkak për këtë situatë është bërë mosfunksionimi i kaldajës në këtë shkollë.

“Ali Laçej” është një shkollë e rikonstruktuar të cilës për t’i ofruar një standart sa më të mirë u mendua që në të gjithë shkollën të instalohet sistemi i kaldajës. Megjithatë që nga momenti i kryerjes së punimeve e deri më tani ngrohja nga kaldaja nuk ka funksionuar. Në shkollë nuk mund të përdoret as ngrohja me korent sepse automatët nuk arrijnë që të mbajnë ngarkesën e madhe të të gjitha klasave. Duke qenë në këtë situatë, nxënësit e kanë një problem të madh. Rreth 15 nxënës gjatë ditës së sotme kanë bojkotuar mësimin duke mos marrë pjesë në procesin mësimor vetëm si shkak i kushteve aspak të mira.