SHKODËR- Gjatë mbrëmjes se djeshme i është vënë tritol banesës së Shefit të stacionit policor të Thethit në Shkodër, Prel Milani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:45 në lagjen 'Guerrile' në qytetin verior, ku fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.

Duke shfrytëzuar errësirën e natës dhe lëvizjet e pakëta në rrugë, autorët e kësaj ngjarje kanë mundur të largohen pa u pikasur nga askush. Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje, por referuar dëshmisë që Prel Milanit në polici, mësohet se ai ka deklaruar se dyshon se ka qenë për shkak të detyrës.

Siç raporton gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja, Milani ka qenë duke shkuar në punë në policinë e Shkodrës, ai e ka dëgjuar shpërthimin, por nuk ka menduar se ka qenë ne banesën e tij dhe për këtë ka vijuar rrugën drejt Komisariatit. Në ato momente të shpërthimit, ka qenë vetëm bashkëshortja dhe vajza, (djali jo) të cilët më pas kanë lajmëruar Milanit për atë se çfarë ka ndodhur. Pas shpërthimit, ata kanë bërë një kontroll rreth banesës dhe kanë konstatuar derën e magazinës të dëmtuar dhe një gropë me një diametër rreth 30 cm në beton. Sipas dëshmisë së Milanit në polici ka thënë se nuk ka patur konflikte, por dyshon se ky sulm i ka ardhur si pasojë e detyrës si shef stacioni policor dhe dyshimet e para janë për shkak të operacioneve të kryera në zonën e Dukagjinit në luftë kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Por sikur kjo të mos mjaftonte, një tjetër shpërthim me tritol ka ndodhur po në qytetin e Shkodrës. Shpërthimi tjetër me lëndë plasesë ka ndodhur në fshatin Grude e Re në banesën e Kolë Bungaja. Lënda plasëse e cila dyshohet të jetë tritol i  është vendosur në portën hyrëse të banesës. Si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme materiale. Banorët ishin në shtëpi në gjumë në momentin e shpërthimit. Ndërkohë po punohet për të zbuluar rrethanat e ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:19
I vendosën tritol në banesë, flet Prel Milani: Dyshoj se shpërthimi u bë për shkak të detyrës

1578219771_prela001.jpg
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shpërthimi me tritol në banesën e policit në Shkodër. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja bën me dije se Prel Milani nuk ka qenë në shtëpi gjatë momentit kur ka ndodhur shpërthimi.

Rreth orës 22:00, Prelë Milani ka qenë duke shkuar në punë në policinë e Shkodrës kur është dëgjuar shpërthimi i cili ka tronditur edhe familjaret e tij, vajzën dhe bashkëshorten pasi djali nuk ka qenë në banesë. Më pas familjarët kanë kontrolluar shtëpinë dhe oborrin përreth ku kanë konstatuar derën e magazinës të dëmtuar dhe një gropë me një diametër rreth 30 cm në beton. Në deklaratën e tij në polici, Prel Milani ka thënë se edhe pse ka dëgjuar shpërthimin, ka vijuar rrugën pasi nuk ka menduar që bëhet fjalë për banesën e tij. Pas pak kohësh është njoftuar nga familjarët të cilët ndodheshin në banesë dhe është kthyer menjëherë.

Sipas dëshmisë së Milanit në polici, ai ka thënë se nuk ka patur konflikte, por dyshon se ky sulm i ka ardhur si pasojë e detyrës si shef stacioni policor dhe dyshimet e para janë për shkak të operacioneve të kryera në zonën e Dukagjinit në luftë kundër kultivimit të lëndëve narkotike. 

Ora 08:59
Kush është shefi i stacionit të policisë në Theth që iu vendos tritol në banesë

1578210773_prel.jpg

Banesës së Prel Milanit rreth orës 21:45,  në lagjen 'Guerrile' në Shkodër i është vënë tritoli. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Prel Milani është shef i Stacionit të Policisë Theth, Shkodër.Si pasojë e shpërthimit në banesën e tij ka patur vetëm dëme materiale. Ndërkohë Report Tv ka siguruar edhe foton e policit të cilit iu vendos tritol. Deri më tani dyshohet se shkak i kësaj ngjarje të rëndë ka ardhur si pasojë e detyrës që bën Milani. Përveçse oficer policie, Prel Milani është edhe studiues dhe shkrimtar i njohur në Shkodër, kryesisht me studimet e tij për trevën e Dukagjinit dhe personaliteteve të kësaj zone.