SHKODER - Një 75-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një motoçikletë dhe më pas dhe nga një autoveturë. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në lagjen Bahcallek në qytetin e Shkodrës, rreth orës 17-30 të së premtes.

75-vjeçari Xhafer Goxho lindur në Përmet dhe banues në Shkodër ka qenë duke lëvizur në këmbë në anë të rrugës kryesore Shkodër- Lezhë, por është përplasur nga një motoçikletë,e cila ka qenë duke u drejtuar nga 25-vjeçari G. Shega nga fshati Melgushë, komuna Bushat. Në këtë moment 75-vjeçari është rrëzuar në asfalt dhe për pasojë është shtypur nga një tjetër automjet tip Pasat me targa TR 0145 L, që drejtohej nga 65-vjeçari A. Zaganjori.

Menjëherë pas aksidentit drejtuesit e autoveturës dhe motoçikletës janë ndalur për t’i ardhur në ndihmë të moshuarit, por ky i fundit si pasojë e përplasjes ka humbur jetën menjëherë.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektivët e policisë rrugore, të cilët kanë bërë shoqërimin e dy drejtuesve, 25-vjeçarit Shega dhe 65-vjecarit Zaganjori për në komisariatin e policisë së Shkodrës.

Sipas grupit hetimor, motoçikleta ka qenë duke parakaluar një automjet, por nga errësira dhe shiu nuk ka parë të moshuarin e për pasojë është përplasur me të. Nga përplasja i moshuari është rrëzuar në asfalt ndërsa autovetura që drejtohej nga 65-vjecari Zaganjori e ka pasur të pamundur të frenonte në moment për shkak të lagështirës dhe për pasojë e ka zënë të moshuarin, i cili më pas ka humbur jetën.

Ndërkaq, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të aksidentin ndërsa dy drejtuesit do të mbahen të shoqëruar në polici deri në zbardhjen e plotë të aksidentin të rëndë ku humbi jetën 75-vjeçari

(Gre.M/Shqiptarja.com)