Shkodra u kthye për disa ditë në një pikëtakim artistësh nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Edicioni i tretë i “Shkodra Art Residency ‘26” mblodhi rreth 20 artistë të pikturës, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me qytetin dhe të sjellin në telajo përshtypjet e tyre.

“E kam një abstrakt që është një gjë për mua tani, shpreh botën e sotme”, thotë piktorja Fadilja Çunmulaj.

“Jam paraqitur me dy piktura, një peizazh nga liqeni i Shkodrës, ndërsa tjetra natyrë e qetë”, thotë Greta Tahiraga.

“Mbeta e befasuar pasi nuk e kisha pritur që Shkodra të ishte një qytet kaq i madh dhe i bukur njëkohësisht. Kam parë nga afër kalanë, liqenin, Muzeun Historik dhe plot pika të tjera. Vij nga Beogradi dhe shpresoj të rikthehem sërish”, shprehet Maya Dokic.

Galeria “Oda” u bë hapësira mikpritëse e këtij edicioni. Rozafa Shpuza vlerëson krijimtarinë e artistëve dhe bashkëpunimin e krijuar mes tyre, duke theksuar se kjo galeri do të mbetet gjithmonë e hapur për iniciativa të tilla artistike.

“Unë them që kjo të kthehet në një traditë dhe Shkodra gjithnjë të mirëpresë artistë sepse në kulmin e turizmit që jemi tani, është vend që vizitohet dhe kemi çfarë i tregojmë kujt vjen në Shkodër”, thotë Shpuza.

Sipas kuratorit, Saimir Ahmeti, aktiviteti kontribuon në pasurimin e fondit të krijimtarisë artistike të Shkodrës.

“Kjo është faza e parë me rreth 20 artistë nga Ballkani dhe shtete të tjera si Çekia, Ukraina, Italia. Ky aktivitet kontribuon për shtimin e fondit për veprat e artit”, thotë ai.

Në përfundim të qëndrimit, artistët pjesëmarrës do të dhurojnë një pjesë të veprave të tyre për institucionet e Shkodrës.