Një mbrëmje gala që i dha zë punës, vizionit dhe njerëzve që po e kthejnë Shkodrën çdo ditë e më shumë në një destinacion të dëshiruar turistik u zhvillua në ambientet e Teatrit “Migjeni”.
“Shkodra Tourism Awards”, një nismë e Gentian Ferhati, ekspert i marketingut, medias dhe zhvillimit të imazhit turistik, u organizua me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, duke vënë në qendër rolin e sipërmarrjes, inovacionit dhe bashkëpunimit institucional në zhvillimin e turizmit lokal.
Gjatë mbrëmjes u vlerësuan biznese dhe iniciativa që operojnë në fushat e turizmit, hotelerisë, kulinarisë, aventurës dhe inovacionit hallka thelbësore të një qyteti që di të mirëpresë dhe të ofrojë cilësi për vizitorët.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte ndarja e titullit të mirënjohjes për Universitetin e Shkodrës. Në fjalën e tij, rektori Tonin Gjuraj vlerësoi jo vetëm këtë iniciativë, por edhe rrugën e qartë që Shkodra ka marrë drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Në total u ndanë 30 çmime, si shenjë mirënjohjeje për sipërmarrësit që investojnë me pasion, profesionistët që vendosin standarde të reja dhe idetë që e bëjnë Shkodrën më të vizitueshme, më të pëlqyeshme dhe më konkurruese në hartën turistike të vendit.
Komente










