Programi kombëtar për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, i financuar nga Qeveria Shqiptare, do të sjellë këtë vit hapjen e 42 objekteve arsimore dhe terreneve sportive të reja ose të rikonstruktuara në të gjithë vendin. Një prej tyre është edhe shkolla “Gjergj Fishta” në Lezhë, e cila është transformuar dhe është gati të mirëpresë 530 nxënës dhe mësues në nisje të vitit të ri shkollor.

Investimi është realizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, dhe synon t'u ofrojë nxënësve kushte më të mira për të mësuar, ambiente moderne për zhvillimin e talenteve, si edhe hapësira për aktivitete edukative, kulturore dhe sportive përtej orarit mësimor. Përmes këtij programi, qeveria synon të përmirësojë infrastrukturën arsimore në të gjithë vendin me shkolla dhe terrene sportive të reja ose të rehabilituara. 

Pamje të investimit ka ndarë sot në rrjete sociale edhe kryeministri Rama. 

"Shkolla “Gjergj Fishta” në Lezhë është transformuar në një hapësirë bashkëkohore dhe dinjitoze, dhe do të mirëpresë 530 nxënës dhe mësues në vitin e ri shkollor. Ky investim, i realizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, do t’u ofrojë nxënësve kushte më të mira për të mësuar, zhvilluar talentet dhe aktivitete përtej orarit mësimor. Investimi është pjesë e programit kombëtar, financuar nga Qeveria Shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, përmes të cilit këtë vit të ri shkollor hapin dyert 42 objekte arsimore dhe terrene sportive të reja e të rilindura në të gjithë vendin" shkroi ai.