51 të prekur me koronavirus në Shqipëri! 3 infermierë dhe 1 mjek te Sanatoriumi të infektuar! Rakacolli: Kemi kërkuar ndihmë nga Kina (VIDEO)

TIRANË- 9 raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, (51 në total) ndërkohë që nuk ka një zgjerim të hartës së qyteteve të prekura. Mirëpo teksa nga njëra anë ka shifra disi optimiste sa i përket pacientëve të infektuar, bilanci është negativ për mjekët. Në total 7 persona të stafit mjekësor kanë rezultuar pozitiv. Sot janë shtuar 4 raste të reja, 3 infermierë dhe 1 mjek në spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë, përveç dy rasteve të djeshme dhe atij në Durrës. Ashtu si kurse është raportuar më herët, ky virus u transmetua tek mjekët e Sanatoriumit nga një vizitor i "papërgjegjshëm" i cili ua kishte mbajtur të fshehtë personelit që kishte qenë në Itali vetëm disa ditë më parë.

Gjendja shëndetësore e mjekëve është e mirë, njofton zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në njoftimin e saj të përditshëm për mediat. 

"Në vijim të hetimit të hollësishëm epidemilologjik të filluar ditën e djeshme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 4 raste personel shëndetësor (një mjek dhe 3 infermierë) të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.  Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafet mjekësore. Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar. Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara", njofton ministria e Shëndetësisë.

20 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina),  tre qytetarë janë në terapi intesive, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Në total janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me koronavirus 51 raste, ndërkohë që apeli shkon për qytetarët që të mos mbajnë të fshehtë nëse kanë qenë në Itali, të vetëizolohen dhe të respektojnë rregullat e rekomanduara nga Ministria dhe OBSH.

"Nisur nga sa ju informuam, dua të përsëris edhe një herë thirrjen për qytetarët: Telefononi në numrin 127!  Jepuni informacion të hollësishëm stafeve mjekësore!  Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli shëndetësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj. Sot është detyrim që të mbrojmë personelin shëndetësor. Ju lutem qytetarë: Shmangni vajtjet direkte në spitale. Qëndroni në shtëpi!  Respektoni rregullat e reja!  Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë!, thotë Rakacolli. 

Harta e qyteteve të prekura me koronavirus
Tiranë 34 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 6 raste
Rrogozhinë 2 raste

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:16
Rakacoli: Kemi kërkuar ndihmë nga Kina! Të sëmurët kronikë në spitale me makina nga Bashkia...testet vetëm për të dyshuarit real (VIDEO)

Shqipëria ka kërkuar ndihmë teknike dhe mjekësore nga Kina për përballimin e kësaj situate me koronavirus, e ndërsa një njoftim i rëndësishëm ka për të sëmurët kronikë që nuk kanë automjete të autorizuar për të shkuar në spitale. Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri me dije se për këtë do të kujdese Bashkia që do t'u mundësojë transportin drejt spitaleve.

"Kemi bërë një komunikim zyrtar me ambasadën e kinës për t'ia shprehur këtë kërkesë. (...) Në bazë të urdhrit të ministres po bëhet një koordinim me bashkitë që të sëmurët kronikë të paraqiten në spital me makinat e policisë", tha Rakacolli.

Ndërkohë ajo ka theksuar se ka mjaftueshëm tamponë për të testuar të dyshuarit real më koronavirus. Duke u ndalur tek trendi i shifrave, Rakacolli bëri me dije se po shkon sipas modeleve të epidemiologjisë.

"Marrja e tamponave nuk është dëshirë e qytetarit. Në rastin e pandemisë përzgjidhen ato persona që janë të dyshuar dhe ky vlerësim bëhet nga ekspertët në bazë të kritereve të OBSH. Ne po përballemi me një fenomen që cdo person që ka qenë në vendet ku ka Covid-19, vjen dhe kërkon që të bëjë testin pa pasur asnjë të dhënë që kmund të ketë qenë në kontakt me prona të konfirmuar. Besoni specialistëve për ata që kanë nevojë ta bëjnë këtë test. Tamponët janë të mjaftueshëm për ata që janë realisht të dyshuar. Po shkon sipas modeleve të epidemologjisë, në fillim ka një numër i pakët i rasteve dhe pastaj shtohen. Me pozitivitetin që kanë dalë analizat, nuk duket që të jetë bërë një numër i vogël testimesh për kohën që ka epidemologjia", tha Rakacolli.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arber: 16/03/2020 13:21

    Ju lutemi te pajisen te gjithe Mjeket dhe Infermieret ne te gjitha spitalet me mjete mbrojtese pasi personi mbartes me virus mund te mos kete fare shenja kur paraqitet ne ambientet e spitalit. Nuk duhet te rrezikojme te na semuren mjeket dhe infermieret!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja