Shkove para kohe!

Shkove para kohe!

Moikom, Moikom! Na le! Na le papritmas! Na le shpejt! Nuk e prisnim shkuarjen tënde! Më trondite me këtë shkuarje të papritur!

Shumica prej nesh, miqve tu, që ishim më të moshuar se ti, dhe jo vetëm pse ishim më të moshuar ishim kandidatë për t’u bërë para teje “deputetë” të atij parlamenti në të cilin e përfundojnë jetën të gjithë njerëzit, që kanë hyrë në këtë jetë. Ti nuk kishe drojën prej atij parlamenti. Në kujtesën tënde madhështore kishte zënë vend të përhershëm edhe mendimi i filozofit Imanuel Kant: vdekjes më së shumti i frikësohen njerëzit e parëndësishëm.

I dashur Moikom, Ti nuk iu frikësove në asnjë çast vdekjes. Dhe për arsyen se nuk iu frikësove vdekjes punove deri në ditën e fundit, punove ditë e natë, pa u lodhur, pa menduar se njeriu mund të vdesë edhe prej punës së pandërprerë mendore, se: mund të vdesësh e mund të të vdesin!

Ti, Moikom i dashur, ishe i rëndësishëm, shumë i rëndësishëm, për shumë arsye. Ishe i rëndësishëm pse kishe dhunti të madhe krijuese.

Dhuntinë tënde të madhe krijuese e shquanin dy prirje të jashtëzakonshme: prirja poetike e shprehur edhe në eseistiken tënde shumë të shquar cilësisht dhe shumë të madhe vëllimisht edhe në studimet tua shkencore e arkeologjike.

Ti Moikom miku im, ishe i rëndësishëm sepse kishe shumë dije. Më shumë se asnjë intelektual, më shumë se asnjë krijues tjetër, më shumë se asnjë shkrimtar e asnjë studiues tjetër shqiptar.

Ti ishe jo një enciklopedi e gjallë si të quanin shumica e kolegëve, mes të cilëve ashtu të kam quajtur edhe unë, ti ishe më shumë se aq! Ti ishe bibliotekë e madhe kombëtare e botërore.

Duke i lexuar shkrimet tua, duke i lexuar veprat tua, ne, shumica e lexuesve tu, kemi mësuar shumë prej teje dhe kemi mësuar shumë prej teje qoftë edhe pse dijet tua thuheshin në mënyra të reja që s’thuhen ashtu në shkrimet e në veprat e krijuesve të tjerë të kohës tënde.

Ti, Moikom, ishe i veçantë, shumë i rëndësishëm si i veçantë, sepse nuk ishe si ne të tjerët, sepse dalloje prej nesh, dalloje me dhuntinë, dalloje me mbamendjen e jashtëzakonshme, dalloje me shpirtësinë e gjithanshme, dalloje me thellësinë mendimore e kuptimore, dalloje me shprehjen, dhe dalloje me estetikën dhe me figurshmërinë e asaj shprehjeje.

Për arsye se ishe ndryshe prej të tjerëve, se dalloje prej të tjerëve, unë kisha kënaqësinë të të fusja në “Antologjinë e lirikës shqipe”, të ribotuar në vitin 1979, kur ti s’kishe më shumë se 30 vjet, e në të cilën ishin përfshirë gjithsej tridhjetë e një poetë lirikë shqiptarë.

Çka do Moikom Zeqo aq i ri në antologjinë e lirikës shqipe më pyesnin kolegë, studiues të letërsisë dhe poetë të përfshirë në atë antologji. Moikom Zeqo ti ishe aty, në këtë antologji, sepse dalloje prej të gjithëve, e antologjitë duhet të jenë vepra jo të autorëve që me mendime e shprehje i shëmbëllejnë njëri tjetrit, por vepra në të cilat përfaqësohen autorë që me mendime e me shprehje dallojnë prej njëri tjetrit, përgjigjesha.

Megjithëse aq i rëndësishëm, megjithëse aq i veçantë, megjithëse aq shumë rrezatues me mbamendjen tënde, me mendimoren tënde, me veprën tënde në jetën kulturore shqiptare, megjithëse poet e studiues njëkohësisht, ti shkove përgjithmonë duke mos gëzuar njohjet që meritonin dhuntia dhe krijimtaria jote prej atyre institucioneve shtetërore dhe shkencore e artistike, që janë të shpallura të ligjshme për t’ua dhuruar atyre që i meritojnë këto njohje.

Ti, Moikom ishe i rëndësishëm, ishe shumë i rëndësishëm, sepse rëndësia e dhuntisë sate, rëndësia e krijimtarisë sate nuk varej prej njohjeve zyrtare po prej teje, – prej asaj dhuntie dhe prej asaj krijimtarie.

Të kemi mbetur borxh edhe ne, kolegët e miqtë, por në Panteon nuk e çojnë krijuesin njohjet, në Panteon e çojnë krijuesin Dhuntia e tij, Vepra e tij, pasuria e Shpirtësisë së tij, rëndësia e përgjithshme e Mendimores së tij. E vepra jote do të nderonte çdo institucion të dijes e të artit.

E ti Moikom prej sot do të jesh i vendosur përgjithmonë në Panteonin e historisë së popullit shqiptar.
Lavdia jote historike, Moikom, le të jetë ngushëllim për bashkëshorten tënde, për fëmijët e tu, për kolegët tu të Akademisë Shqiptare të Arteve e të Shkencave anëtar i së cilës ishe, për të gjithë lexuesit tu të cilët aq shumë të deshën e të nderuan./ tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?