Midis dy pallateve 12-katëshe, ka thënë Shkreli, është dhënë një leje nga Bashkia për një ndërtesë 9-katëshe plus 2 kate nën tokë. Shkreli ka hedhur akuza për prishjen e një vile të vjetër të kohës së monarkisë, që njihet si një objekt i trashëgimisë kulturore, që mban kodin I-44. Ngritja e objektit të ri, sipas Shkrelit, është në kundërshtim me ligjin.
“Kreu i Bashkisë vazhdon të japë leje në ikje. Ka dhënë një nga lejet më skandaloze që janë dhënë ndonjëherë. Midis dy pallateve 12-katëshe ka dhënë një leje 9-katëshe plus 2 kate nën tokë. Jo vetëm kaq, e ka dhënë në kundërshtim me qendrën e Tiranës, në kundërshtim me listën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili e kishte klasifikuar një vilë të vjetër të kohës së monarkisë si një objekt të trashëgimisë kulturore dhe e ka dhënë në kundërshtim me vetë praktikat që ka marrë më planin e njësisë vendore”, ka thënë Shkreli.
Bashkia e Tiranës ndërkohë ka dalë me një deklaratë, ku thuhet “që hedh poshtë shpifjet e sekserit Shkreli. Pasi kanë masakruar për 11 vite Tiranën dhe zonën në fjalë me ndërtime jashtë çdo kriteri, që mbajnë firmën e Ramës dhe Shkrelit, këta palaço derdhin lot krokodili, kur duhet të ishin para drejtësisë për rekordet e betonizimit dhe korrupsionit që kapen në Tiranë.
Dhe më tej, në deklaratën e Bashkisë shkruhet se: “Çdo leje, këto dy vite është dhënë në përputhje të plotë me ligjin dhe planin urban të Tiranës dhe çdo bllokim i paligjshëm nga INUK është presion korruptiv për të vjelë rryshfetin, si në kohën e Ramës dhe sekserit Shkreli.”
Ndërkohë, sekretarja e Këshilllit Kombëtar të Restaurimit, Arta Dollani, në MK, e pyetur për problemin në fjalë, na vë në dispozicion, jo vetëm procedurat për shpalljen e këtij monumenti në mbrojtje paraprake deri në marrjen e statusit Monument Kulture, por edhe një deklaratë të Këshillit Kombëtar të Restaurimit “në dijeni Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi”. Në shkresën e KKR-së i kërkohet kryetarit të Bashkisë, Lulzim Bashës, dokumentacioni i plotë, duke i kujtuar përmes shkresës se në janar të 2015-s i ka dërguar shkresën për shpalljen e monunentit në mbrojtje.
Sekretarja e KKR-së, Arta Dollani, tregon dokumentet ku evidentohet se vila dykatëshe e njohur si objekti I-44, 6 muaj më parë, në korrik të 2014-s është futur në listën e 360 objekteve për mrojtje paraprake, në pritje të statusit monument kulture. Ky vendim është marrë në mbështje të Nenit 17, pika 6, të ligjit 9048, datë 07.04.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, pika 2: “për miratimin e propozimit për shpalljen në mbrojtje paraprake të disa objekteve, në qytetin e Tiranës”.
Ky ka qenë vendimi fillestar, ndërsa gjashtë muaj më vonë në janar të 2015-s ka dalë urdhëri për shpalljen në mbrotje parakrake, ku sipas shkresës së fundit të Ministrisë së Kulturës për Bashkinë, i bëhet e ditur kryetarit të Bashkisë se: urdhëri për shpalljen në mbrotje pararake i është dërguar nga Instituti i Monumenteve me urdhër nr. 70. protokolli datë 16. 01.2015. Urdhëri është dërguar me shkresën përcjellëse nr. 71. protokolluar më 16. 01. 2015.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Maj 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)