Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme do të shkrihet, ndërsa Policia e Shtetit dhe Garda do të kontrollohet nga një strukturë e re, e cila do të quhet Agjenci e Mbikëqyrjes Policore. Kështu parashikon një draft i përgatitur nga Ministria e Brendshme, i cili aktualisht është në proces konsultimi, ndërsa pritet të miratohet nga qeveria, për t’u depozituar më pas në Kuvend. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat u krijuar me ligj në vitin 2014, duke zëvendësuar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB).

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ketë më shumë kompetenca se sa SHÇBA. Konkretisht, Agjencia ka si objekt parandalimin, zbulimin dhe hetimin e shkeljeve administrative dhe veprave penale në polici dhe gardë, inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie. Detyrat e reja të Agjencisë janë Vetingu dhe certifikatat e sigurisë. Këto detyra, Agjencia do t’i kryejë përmes përdorimin të testit të së vërtetës (ekzaminimin poligrafik), hetimeve penale dhe inspektimeve.

Agjencia e re do të mbikëqyrë punonjësit e strukturave të Policisë së Shtetit, punonjësit e strukturave për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë si dhe personelin e Akademisë së Sigurisë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të jetë në varësi drejtpërdrejt të Ministrit të Brendshëm. Struktura e re në nivel qendror do të ketë drejtorinë e përgjithshme, e cila organizohet nga në nivel departamenti, drejtorie, sektori dhe  seksioni sipas objektit të veprimtarisë. Në nivel vendor, Agjencia përfaqësohet nga drejtoritë rajonale.

Sipas draftit, struktura dhe organika e Agjencisë do të përcaktohet me urdhër të kryeministrit, me propozim të ministrit të Brendshëm. Kreu i Agjencisë emërohet nga kryeministri me propozim të ministrit. Ndërkaq, ministri emëron dhe shkarkon drejtorin e departamentit të Agjencisë. Ministri i Brendshëm miraton programi e Agjencisë, drejtimet strategjike, objektivat dhe zhvillimit institucional, nxjerr urdhra dhe udhëzime, përcakton drejtimet kryesore të punës dhe mbikëqyr veprimtarinë e Agjencisë, mbikëqyr dhe shqyrton ankesat ndaj veprimtarisë se Agjencisë dhe informohet për të gjithë veprimtarinë dhe realizimin e prioriteteve. Ministri i Brendshëm nuk mund të informohet për veprime operative dhe hetimore si dhe për identitetin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose të informatorëve.