Shkrimi i 1937:Komunizmi, një ide
anti-kombëtare shkatërronjëse…

Shkrimi i 1937:Komunizmi, një ide<br />anti-kombëtare shkatërronjëse…
“Në udhën e Nacionalizmës” është një shkrim i botuar në revistën Përpjekja Shqiptare të Branko Merxhanit në prill 1937, ku hapur trajtohet rreziku që po shfaqej kudo i ideologjisë komuniste. Edhe pse në mes të viteve ’30, në Shqipëri, ky rrezik ishte i dukshëm, dhe në këtë shkrim bëhet thirrje se kjo ideologji nuk duhej luftuar me dhunë, por me një kundër-ide. Autori i shkrimit(mbase pseudonym) Vangjo NIRVANA, hedh idenë e mobilizimit të intelektualëve të rinj për të ecur në rrugën e nacionalizmit e për ti bërë ballë rrezikut që po vinte me vrull nga Moska. Më poshtë e sjellim të plotë këtë shkrim.
 
«Shpirti ynë është plot nostalgji për
diçka mê të lartë e mê të ndriturë».
GOETHE
 
Ka ca kohë që ndihet prapë zëri i një kambane: Në udhën e Nacionalismës. Zëri i kambanës i kujtonte vdekjen Chateaubriand-it, i cili i ka falur kambanës disa radhë lyrike të bukura. Po tek neve ky zë na kujton Jetën dhe na thret për në Falëtoren ku rron e sbukurohet Jeta. Koha, domethënë puna, do të tregojë se ç’përmbajtje positive ka ky zë. Ndërkaq neve na mallëngjen dhe na jep shpresa. Pastaj është i vetmi zë që mund të na mbajë në faqe të dheut si Komb e si Shtet. Zëri i kambanës fton edhe intelektualët të bëjnë detyrën që u takon në këtë rast: detyrën e gjyrmonjësit e të predikatorit. Né këtu nuk do të dëftojmë, me fjalët e zakonëshme, të mirat që rjedhin nga Nacionalisma. Këtë punë e mbarijnë fare mirë gazetat dhe revistat popullore, që bien në duar të shuma dhe hyjnë në rrethe popullore që kanë nevojë për predikime të thjeshta. Revistat, si kjo jona, janë tribuna studimi e kritike. Pra, do të qëndrojmë në këtë shesh për të gjyrmuar shkake dhe efekte edhe për të kërkuar udhë për sgjidhje. (redak.)

SHQIPËRIA pati fatin e keq të bëhet Shtet në një epokë të turbulltë, në mes të një lufte balkanike dhe të prakut të një lufte të përbotëshme, dy luftëra që shkakëtuan shumë pengime e trivalira për rrënjosjen e saj shtetërore. Dhe ka fatin e keq të nisij të bëhet Komb në një epokë në të cilën janë përleshur për vdekje Nacionalisma imperialiste me Internacionalismën prapë imperialiste, super-kapitalisma shkatëronjëse me super-kapitalisma shkatëronjëse me super-antikapitalismën prapë shkatëronjëse. Po kjo përleshje vigane, në vënd që të na trubullojë e të na trëmbij, përkundrazi duhet të na japij më shumë qejf e trimëri për të punuar e për të luftuar për këtë Vënd t’onë të vogël e të bukur, i cili nuk ndodhet në ato kondita shoqërore e politike që shkakëtojnë gjetkë trubullime, tronditje e përmbysje. Dhe merita e jonë do të jetë ca më e madhe që nuk do t’a humbasim torruan nga zhurma e skëterrëshme e kohës s’onë dhe do të dalim fituës për të mirën e Kombit t’onë. Vëtëm kjo luft’ e jonë fitimtare do disa armë: Eurythmí shpirtërore, trimërí shpirtërore, therorí, vetë-mohim, solidaritét, sinqeritét, çmuarje të çastit historik, pámje të çveshurë të problemevet t’ona të mbëdhé, Ideal energjik, vulnét heroik për të krijuar histori. Këto duhet të jenë edhe karakteristikat e Nacionalismës s’onë.

Si një vënd në mes të Evropës, edhe Shqipëria jonë ka zënë e ndjen efektet e përleshjes kuqe-bardhë. Parime e ndjenja internacionaliste nisin e hapen dhe zënë vëndin e parimevet dhe ndjenjavet nacionaliste. Sëmundja nuk është akoma e madhe dhe nuk ka zënë akoma rrënjë; ndodhet në fazën e klloçitjes sentimentale. Kështu nuk është i zorshëm edhe bari për shërimin e sëmundjes. Për të caktuar barin e shërimit duhet më parë të bëjmë diagnozën e sëmundjes. Në radhë të parë sëmundja ngjitet në një pjesë, për fat të mirë shumë të vogëlë, të studentëvet t’onë që jetojnë shumë kohë jashtë për studime. Këta studentë janë të rinj dhe, siç dihet, mosha e re – përveç nonjë rase pathologjike – është tepër sentimentale. Këta të rinj sentimentalë shohin rreth-e-rrotull mizerjen ekonomike e shoqërore që mbretëron në vëndet ku rrojnë, impresionohen, mallëngjehen, zëmërohen kundër kësah pa drejtësie ekonomike e shoqërore, dhe pa-ndjerë shkasin dhe bien në gjirin e idesë komuniste. Shëmbëllë typike dhe klasike e kësaj sentimentalisme është “Thirja” e Kropotkin-it që u bën të rinjvet, thirje që u drejtohen ndjenjavet të tyre për të çdukur pa-drejtësinë dhe mizerjen shoqërore. Këtë që pësojnë sot të rinjtë t’onë e kanë pësuar në djalëri të tyre edhe njerës të mëdhenj, që sot janë anti-komunistë. Por kur i riu piqet e mendon dhe fiton eksperiencë të drejt-për-drejtë e praktike të jetës, ahere kupton se pa-drejtësia ekonomike dhe mizerja shoqërore mund të shërohen edhe pa Ungjillin komunist, që është kundër Atdheut e Familjes. Në radhë të dytë sëmundja ngjitet në njëkategori të rinjsh, që kanë etje për Ideale. Janë në moshën e enthusiasmës dhe të vulnetit për veprim, kërkojnë Ideale energjike rreth-e-rrotull, nuk i gjejnë ose gjejnë Ideale boshe, dëshpërohen edhe si udhë ideologjike më të mirë gjejnë Komunismën. Këta të dëshpëruar nga jeta pa ideale janë të dërmuar rëndë shpirtërisht, elektrizohen nga theorira utopike, sgjedhin një ilaç shkatëronjës e vrasës për të shuar etjen e tyre, në vënd që të qëndrojnë në sheshin e Nacionalismës dhe të luftojnë në këtë shesh me zëmër e këmbëngulje. Në radhë të tretë sëmundja ngjitet në klasat shoqërore që vuajnë nga mizerja ekonomike. Ato që dinë kanë kënduar, dhe ato që s’dinë kanë dëgjuar të bëhet fjalë, se në Moskov (kështu e quan Russinë populli) të varfërit nuk vuajnë po të gjithë hanë një copë bukë. Është kuptimi i trashë materialistik që formojnë klasat e varfëra, të cilat nuk dinë se edhe në Moskov ka varfëri e mizerje të madhe. Kategoria e parë dhe e dytë, domethënë kategoritë intelektuale, janë të rezikëshme po të meret para sysh se ç’influencë mund të ushtërojë në evolutën e një populli intelekti i kthyer në ndjenjë. Po kategoria e tretë, domethënë kategoria popullore, është me të vërtetë shumë e rezikëshme, se mund të bëhet shesh për mbjellje të mikrobit komunist dhe për eksperimente të rezikëshme.

Kjo është diagnoza e sëmundjes. Po bari i shërimit të saj? – Që në krye duhet të na mbushet mëndja se t’a vëndosim prerë se sëmundja nuk shërohet me fjalë boshe të mbëdha, po do vepra e sakrifica e gjeste të mbëdha. Dy ilaçe kemi përpara: Politikën policore, domethënë politikën repressive që përpiqet të çdukij efektet. Politikën ideologjike e shoqërore, domethënë politikën preventive që përpiqet të çdukij shkaket. Politika policore është një e drejtë e Shtetit kur ka përpara efekte dhe s’ka si bën ndryshe. Një Shtet i mirë përpiqet si-e-si të mos ketë nevojë për një politikë të tillë, veç se në raste të shtrënguara e të pa-kapërcyëshme. Po politika ideologjike e shoqërore është një detyrë themelore për një Shtet modern, që i ka caktuar vetëhes një mission të math e të lartë për të realizuar edhe ka vëndosur të çdukij shkaket.

Domethënë: Ideologji e Gërbac. Komunisma është një ide. Një ide anti-kombëtare, shkatëronjëse. Po është ide. Dhe, siç dihet, idea nuk çduket me gërbaç, po me një kundër-ide më të mirë. Këtë na mëson historia e njerëzisë edhe e evolutës së regjimevet shoqërore. Hamlet-i, që vërtitet me pallë shgjeshurë kundër hies dhe shpreson që t’a shpojë, pëfytyron – në mëndjen e Poetit të math – njerinë që vërvitet me armë kundër një ideje dhe shpreson që t’a shpojë. Po gjer sot s’është gjëndur nonjë çelik kaq i mirë sa për të bërë një pallë që të mundij të vrasij një ide. Një ide s’mund të vritet veç se nga një tjetër ide. Provë: Paganisma, të cilën nuk e vrau palla po fuqia dhe madhëria morale e Kristianismës së kohëravet të para. Pra, për të mundur idenë komuniste na duhet me doemos një kundër-ide më e mirë. Për ne kundër-idea më e mirë është vetëm Idea Kombëtare. Idea Kombëtare me një përmbajtje shoqërore të gjerë e të re. Këtë Ide Kombëtare do të mundim t’a rritim, t’a rrënjosim e t’a mbajmë lart në këmbë, vetëm me një Ideal energjik, i cili mjerisht i mungon akoma jetës shqiptare. Si? S’e ka akoma këtë ideal energjik jeta shqiptare, kur se po bëhemi gati të kremtojmë tani afër njëzet e pesë vjet të lirisë s’onë politike? Jo! Jetës shqiptare i mungon akoma rythmi i brëndëshmë. Rythmë që të frymëzojë e të ushqejë një ideal të mpështetur mbi parime morale e mendore me vlerë të vazhduarë. Më vjen ndërmënd një gjë e bukurë dhe karakteristike, dhe i mirë: Dr. Meksi. Më thoshte se kur sbriti në Sarandë u-mallëngjye dhe qau nga gëzimi kur pa se Shqipëria lidhet me telefon dhe ka automobile për udhëtime. Nga kjo pikëpamje – nga pikëpamja e qytetërijmit mekanik – Shqipëria ka vatur shumë përpara. Ka edhe telefone, edhe telegrafe, edhe automobile, edhe udhëra, edhe ura, edhe pallate, dhe shumë gjëra të tjera të mira. Faqja e jashtme e Shqipërisë ka ndruar tepër dhe ndron dita me ditë me çape të mëdha. Duhet të dijë njeriu se ç’ka qenë më parë, të qëndrojë ca kohë jashtë pastaj të kthehet dhe të shohij e të gëzojë këtë Shqipëri t’onë proteiforme e të bukurë. Po nga brënda, nga shpirti? Faqja e brëndëshme mjerisht nuk ka ndruar akoma! Jo vetëm që s’ka ndruar, po ecën edhe së prapthi. Sa mbarë prapë! Kur e nisëm jetën t’onë shtetërore pas luftës së madhe kemi patur ideale patriotike të flakta, enthusiasmë patriotike të pa-mbajturë, aspirata patriotike të larta. Duke shkuar koha, idealet, enthusiasma, aspiratat t’ona patriotike u-vënitën, u shuan. Dhe në vatrën t’onë shpirtërore, në të cilën dikur ngrihesh lart flaka patriotike, tani ka mbetur vetëm hiri i ngrirë dhe i vdekur! Me gjithë këtë, shpresa s’ka humbur. Phoenix-i, thonë, rilind nga hiri i tij. Kështu nga hiri i ngrirë i sotmë do të rilindij pa tjetër nesër Phoenix-i shqiptar.

Flaka patriotike mbahet e ndezurë me një ideal energjik. S’mund të ketë as një Shqiptar që të mos dojë të mirën e vëndit të tij. Këtë as e nxë, as e mer tod mëndja. Po dëshira e tij është “vague”. Nuk është energjike dhe e vulnetëshme që të arrijë gjer në therori. Mussolini ka shkruar një herë: “Idetë nuk janë si kapellot që varen jashtë në divan. S’mund të themi: Unë hyj këtu dhe i lë jashtë idetë e mia!”. Tek neve ngjan e kundërta. Kur hyjmë në dhomën e interesavet të veta, idetë i lëmë jashtë në divanin e bukur të retorikës. Nuk jemi të sinqertë me vetëhen. Të tjera themi e të tjera bëjmë. Dikur Branko Merxhani pati bërtitur: “Poshtë maska e hypokrizisë!”. Po maska s’ka rënë akoma nga fytyra jonë morale!

Po reziku komunist troket në portën t’onë. Një rezik mëngjërosh që duhet t’a përballim e t’a luftojmë. Nuk është zor t’a luftojmë e t’a largojmë këtë rezik, që ndodhet akoma në portë dhe s’na ka hyrë akoma brënda në shtëpi. Vetëm duhet të sgjedhim në mes të retorikës dhe të historisë. Domethënë në mes të fjalëvet dhe të vepravet. Të palcohemi me vetëhen, të hedhim maskën poshtë, të hyjmë në udhën e idealit energjik. Për të krijuar këtë ideal duhet të kthehemi nga e shkuara kombëtare dhe t’i puthitemi kohës s’onë. Që të shpëtojmë nga shterpësia jonë shpirtërore, duhet të lidhemi prapë me të Vdekurit t’onë të mbëdhenj. Kemi një sot që duhet t’a kapërcejmë për një nesër më të mirë. Për të arritur këtë gjë, të kthehemi nga dje-ja dhe të frymëzohemi nga shpirti e nga të rahurat e saja. E shkuara është jona. Vepra jonë. Pemë e virtutavet t’ona. Né e realizuam, dhe të ndjekim këshillën e një kritiku të math, Sainte-Beuve: “T’a mendojmë shumë dhe sinqerisht të shkuarën, t’a kuptojmë mirë – do të thotë t’a ëndërojmë me të vërtetë të arthmen”.

T’a kuptojmë mirë të shkuarën. Po. Do të nxjerim se thelbi i saj është fryma heroike. Një grusht njerës që luftuan kundër një Turqie imperiale, kundër një Serbie imperialiste, kundër një Greqie me “megali idhea”. Dhersë, theorira, gjak, heroismë. Këto tregonin valat e Flamurit atë Ditë legjendare të Nëndorit në Vlorë. Fryma heroike e solli lirinë t’onë politike. Fryma heroike ka qënë në palcën e idealit energjik të Rilindjes s’onë Kombëtare.

E! Kjo frymë heroike do t’a sjellij edhe lirinë t’onë shpirtërore. Kjo frymë heroike duhet të jetë në palcën e idealit energjik të kohës s’onë. Me aspirata të ra. Me puthitje të ré. Kur themi frymë heroike, duam të themi vepra të mbëdha. Vërtét të mbëdhá. Të mos ndrojmë vetëm faqen e jashtme shqiptare. Po edhe – ca mê tepër – faqen e brëndëshme. Me këtë frymë dhe me këto aspirata do të nisim të ecim dhe të vemi përpara për rilindjen shpirtërore të Kombit. Në epokën moderne, kur lind ose rilind një Komb, ka kurdoherë dy çaste që veprojnë: a) çasti mystik-ideologjik; b) çasti praktik-efektuàl. Marshi i historisë shqiptare nuk deshi që në radhë të parë të vijë çasti mystik-ideologjik (shpirti kombëtar), dhe pastaj të pasojë çasti i dytë. Ky erdhi i pari: u-bëmë Shtet, duke qënë akoma Kombësì (tokë, gjak, gjuhë) dhe jo Komb (historì e bashkët, përpjekje të bashkëta, shpirt i bashkët). Me anën e çastit të dytë do të realizojmë çastin e parë: të krijojmë shpirtin kombëtar. Të bëhemi Komb. Pra, s’ka kuptim se si mund të gjënden Shqiptarë që të mendojnë e të besojnë që mund të bëhemi Inter-Nation pa qënë akoma Nation. Të bëhemi Inter-Nation në një kohë që në tërë botën mer e jep një imperialismë e tërbuarë, dò e bardhë, dò e kuqe, dò e verdhë. Të duam Inter-Nation-in dhe të mos çajmë kokën për Nation-in t’onë, për baltën t’onë, për Familjen t’onë!
Për të bërë udhën t’onë drejt qëllimit të math (krijimi i shpirtit kombëtar) është bevojë e domosdoshme të kemi para sysh disa gjëra. Jo parime metafizike të thata. Jo fjalë të mbëdhà. Përvijësojmë sot në mënyrë të përgjithëshme – do të kemi rast të kthehemi në ‘to mê gjer’ e gjatë – disa nga këto vepra:

a) T’i çelim djalërisë shqiptare portërat e jetës shqiptare.
b) T’a përtërijmë Elitën, domethënë klasën drejtonjëse.
c) Të luftojmë mizerjën ekonomike e shoqërore me një politikë të përshtatëshme.

S’kam ndërmënd të mbar këtu luftën “Pleq e të Rinj” dhe të përtyp sa u-thanë dhe u-shkruan nga njëra e nga tjetra anë. Nga përpjekja dolli se Pleqtë e të Rinjtë duhet të gjykohen e të çmohen nga pikëpamja e mëndjes dhe e shpirtit edhe jo nga pikëpamja e moshës. Të vdekur e të pa-kallur ka nga të dy anët! Dua të kujtoj vetëm se Djalëria është një faktor i math në shvillimin e vëndit dhe prandaj duhet t’i çelen portërat e jetës shqiptare. Gjer sot Djalëria është lënë më nj’anë si faktor i tillë. I është treguar sheshi sportif pas të cilit është dhënë shumë dhe ka treguar mjaft zotësì. I janë treguar Shoqëritë e vdekura Jashtëshkollore në të cilat nuk qaset thua se fare. Asgjë tjetër.
Ahere ç’rol lot kjo Djalëri në jetën shqiptare?

Dihet se historia i ka caktuar Djalërisë kudo në botë një rol të radhës së parë për të lojtur. Në mos ka eksperiencën, po ka enthusiasmën, therorinë, vetë-mohimin dhe shumë cilësira të tjera morale që s’i ka të tëra Pleqëria – çdo regullë ka përjashtime – arteriosklerotike. Në Djalërì i ka varur shpresat Italia fashiste. Në Djalërì i ka kthyer sytë Gjermania naziste. Djalërinë stërvit Rusia sovjetike. Djalërinë përdor Tyrqia kemaliste. Kudo që bëhet një përtërijtje shpietërore e kombëtare do të gjejmë pa tjetër Djalërinë. Djalëria që s’ka nonjë rol për të lojtur në vëndin e vetë zë e bëhet fatalisht komuniste. Problemin e Djalërisë e preku edhe Papa në Encyklikën e tij të fundit anti-komuniste.
Pirandello-ja ka shkruar një romanc “Pleqtë e të Rinjtë”. Është njëromanc politik-shoqëror-historik, që çpërdridhet në Sicilia-n e tij. Pleqtë janë patriotët, ata që bënë Italinë, të cilët, sadò që s’janë mê në gjëndje t’i puthiten kohës, përpiqen t’i lënë të rinjtë jashtë jetës së ré. Për reaksion të rinjtë hidhen në gjirin e idevet të mëngjërta. Këtë themë e ka trajtuar, romantikisht, edhe Turghenieff-i në kuadrin e jetës krahinore ruse, si kundrështim fatal shpirtërash dhe tendencash në mes të një brezi që perëndon dhe të një brezi që agon. Protagonistët e romancierit-dramaturg italian dhe të romancierit të math rus janë symbole që përgjithësohen, universalizohen, projektohen në historí, e cila na tregon edhe në ditën t’ona se ç’përfundime sjell kjo përpjekje e brezavet kur s’meren masat e duhura me kohë.

Është nevojë e domosdoshme të përtëritet Elita, domethënë klasa drejtonjëse. Né s’kemi akoma një Elitë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pra, le t’a marim me kuptimin e ngushtë të klasës drejtonjëse, si ajo që mund të kemi sot-për-sot. Klasa drejtonjëse e sotme ka nevojë për përtëritje. Ka lindur në çaste historike, të cilat e kanë mbyllur qarkun e tyre edhe kanë hapur udhën për çaste historike të ra. Doemos çdo qark historik s’mund të çduket krejt. Ka elemente të mira e të sgjedhura që do t’i ruajë. Elementet e tjera të vjetëruara e të grira do t’i nxjerij në pension. Vëndin e tyre duhet t’a zënë elemente të ra, me ato fuqira krijonjëse të ra që lypin kohërat për të mundur Kombi të vazhdojë marshin e tij evolutif. Për përtëritjen e klasës drejtonjëse duhen marë para sysh vlera mendore e vlera morale, vlera që të mendojnë dhe vlera që të veprojnë. Po ku është seleksioni i këtyre vlerave? Përgatitja e kuadrevet të ra drejtonjëse? Gjetja e elementeve që t’u përgjigjen kërkimevet të periodës historike të ré shqiptare?

Vëndi ynë s’ka akoma një politikë shoqërore, që të mos themi se nuk e njeh fare. Mirë po politika shoqërore është ajo që përbën një nga kujdesjet mê të mbëdhà në vëndet e qytetëruara. U-kuptua nevoja e domosdoshme se populli duhet ngritur lart, duhet shpëtuar nga thonjët e komunizmës, e cila përpiqet të spekulojë mizerjen e tij. Tek neve politika shoqërore kufizohet në disa qase misër dhe në ndihmat e voçkëla që u japin Bashkitë të varfërvet. Ndihmën e popullit të varfër né e quajmë sadakà. E provuan listat e fundit që u-botuan nëpër gazetat për ndihmat që u-mblodhën dimërin e shkuar për të varfërit. Sumëra kaq qesharake që mê mirë të mos jepeshin. Listat që u-botuan janë pasqyra mê besnike, barometri mê i vërtetë i shpirt-tharësisë së klasavet t’ona të pasura. Ndihma për popullin nuk është sadakà. Është një detyrë shoqërore. Paraja nuk është vetëm pronë e pak njerësve të pasur, po ka të lozij një fonksion të math në jetën shoqërore. Në qoftë se të pasurit nuk e kuptojnë këtë fonksion, e ka detyrë t’u a dëftojë Shteti.
 
Djalërija, Klasa Drejtonjëse, Politika Shoqërore – nuk janë tërë sgjidhja e problemit shqiptar, po disa faktorë themelorë për të hyrë në udhën e sgjidhjes. Për të rrënjosur një Nacionalismë me vepra. Për të luftuar idenë komuniste. Për të krijuar një Ideal energjik. Një erë e ré përtëritje shoqërore e kombëtare duhet të fryjë në vëndin t’onë. Të rahura të ra duhet të ndjejnë zëmrat t’ona. Duhen qëruar vlerat e ndryshkura dhe myku mendor. Ndodhemi në një të kthyer të historisë, e cila lyp që vëndin e një sgjuarësie të cekëtë t’a zëmë me një punim mendor serios, methodhik, të dishiplinuar, për të krijuar një lëvizje iderash të vërtetë e pjellore. Përpjekje positive për një shoqëri mê të drejtë brënda në kornizën e një lirie të dishiplinuarë. Hierarki të vleravet. Një djalëri burrërore e jo të tredhurë; me shpinë çeliku dhe jo me shpinë kauçuku. Çmuarje dhe përkrahje efektive e punës mendore për shvillimin e jetës kombëtare. Mbi të gjitha këto, frymë heroike në mendimet t’ona dhe në veprat t’ona.

     Në këtë mënyrë brezi ynë i retorikës do të jetë i denjë të krëmtojë në Nëndorin që vjen kujtimin e atij brezi të historisë q ë na fali Shtetin e lirë Shqiptar. Në këtë mënyrë edhe brezi ynë do të kalojë fazën e retorikës për të hyrë në fazën e historisë, e cila vetëm do të na sjellij “diçka mê të lartë e mê të ndriturë”. Një të nesërme të lumturë për Kombin.


perpjekja shqiptare

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com


 
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ciceron/'Unë mund të fle kudo' ekspozitë në Tiranë! 'Menaxheria e Qelqtë' shfaqet në Gjirokastër! Diskutim për librin 'Vegjetariania' në Shkodër

Ciceron/'Unë mund të fle kudo' ekspozitë në Tiranë! 'Menaxheria e Qelqtë' shfaqet në Gjirokastër! Diskutim për librin 'Vegjetariania' në Shkodër