Për herë të parë Tirana mikëpriti disa nga shkrimtarët shqiptarë të diasporës në Tiranë. “Revistat letrare në diasporë”, “Letërsia si kujtesë”, “Përkthimi dhe promovimi i letërsisë shqipe” ishin disa nga temat që u trajtuan në këtë takim që u zhvillua në sallën Albanologjike në Pallatin e Kongreseve. Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën Mimoza Hysa e cilëson këtë takim një mundësi për të shkëmbyer ide, për rrugën që ka ndjekur edhe ndjek sot letërsia shqipe, por edhe për të mësuar më shumë për situatën ku gjendet autori brenda edhe jashtë vendit, duke krijuar kështu mundësi më të mëdha për promovimin e kulturës sonë në mbarë botën.
“Ftesa për shkrimtarët e diasporës për të ardhur në Shqipëri, që unë do i quaja shkrimtar të letërsisë shqipe, sepse letërsia nuk mund të ketë kufij, qasja jonë ka qenë për të afruar edhe për të njohur më mirë ata shkrimtarë që jetojnë larg”, shprehet ndër të tjera Mimoza Hysa.
Disa nga shkrimtaret më në zë, të cilat shkruajnë në gjuhë të huaj edhe në shqip, por që jetën e tyre prej vitesh e kanë krijuar jashtë vendit, e konsiderojnë këtë iniciativë pozitive, duke shpresuar për më shumë politika stimuluese për autorët shqiptarë jashtë vendit
“Ky ishte një takim që duhet duartrokitur me të madhe, sepse më ka gëzuar shumë. Është një gjest shumë simbolik, që më ka treguar që edhe ti je pjesë e jona”, thotë poetja Entela Tabaku.
“Jam munduar që të qëndrojë jashtë edhe larg politikës, sepse im atë ka qenë disident, (shkrimtari Mehmet Myftiu) edhe kjo më ka ndikuar jashtëzakonisht, por nuk mund që t’i shpëtojmë politikës, erdha që të ndikoj të paktën në zgjimin e ndërgjegjes, nëse nuk bëjmë dot diçka tjetër konkrete”, shprehet shkrimtarja Besa Myftiu.
Ndërsa, dramaturgu Stafan Çapaliku dhe publicisti Ndue Ukaj bëjnë apel për më shumë vëmendje nga institucionet, veçmas nga Ministria e Kulturës.
“Jam shumë i lumtur që kemi këtu ministrin e Diasporës Pandeli Majko, por si ka mundësi që nuk kemi këtu ministren e Kulturës (Elva Margariti). Ishte, por nuk është. Si mundemi ne që të komunikojmë? Të paktën që të njihemi edhe si fytyrë”, thotë ndër të tjera dramaturgu Stefan Çapaliku.
“Për fat të keq jemi kombi që investojmë më pak në këtë fushë, edhe pse përfitimet i kemi shumë të mëdha. Letërsia shqipe është ndoshta paradigma e vetme që ka mbajt gjallë kombin edhe identitetin shqiptar. Është programi kulturor-politik edhe identitar i shqiptarëve. Historia e ideve kulturore shqiptare është organikisht e lidhur me letërsinë. Prandaj kërkohet për të gjithë përgjegjësve të shteteve shqiptare edhe pjesëve të tjera, që të ndërgjegjësohen edhe të marrin vendimet e duhura, sepse duke ndihmuar këtë, i bëjnë nder kombit edhe kulturës”, shprehet Ndue Ukaj.
Shkrimtarët kërkuan që ky simpozium të kthehet në një traditë të përvitshme që ka në qendër “Letrat nga diaspora”.