Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka thirrur në një interpelancë urgjente ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi për shkrirjen e Akademisë Shkencore të Albanologjisë. Në deklaratën për media kërkon që Kushi të paraqitet në seancën e ardhshme plenare dhe të japë llogari për këtë vendim.

“Është e paprecedentë, në shkelje të ligjit dhe kundra interesave shkencore kombëtare. Ministrja Kushi në emër të çakejve kërkon  përmbylljen e Akademisë së Albanologjisë vetëm për të plotësuar disa orekse të Skënder Gjinushit si një qokë për një parti të falur. Gjinushi nuk ngopet me Akademinë e Shekncave dhe kërkon mbylljen e studimeve albanologjike dhe kthimin në aneks. Pavarësisht dëshirave të një personi, fajtori është ai që e ekzekuton këtë vrasje që është Ministria e Arsimit dhe kryeministri Edi Rama”, tha Zhupa.

Deputetja theksoi se ankesën e saj për shkrirjen e Akademisë do ta dorëzojë në Komisionin e Edukimit.

Pas tentativës së verës së vitit 2021, Akademia e Shkencave është një hap, afër realizimit të përpjekjeve për kalimin e instituteve kërkimore të Akademisë së Studimeve Albanologjike si pjesë të sajën. Ky projektvendim, kërkon mbylljen e veprimtarisë së ASA-s dhe kalimin e të gjitha aseteve të saj në Akademinë e Shkencave.

Projektvendimi, në zbatimin e të cilit është e përfshirë edhe Ministria e Arsimit do të bllokonte të vetmen derë që përgatit albanologët e ardhshëm.