Ajo pjesë përtej Adriatikut është pjesë e zemrës tonë, pjesë e botës tonë dhe shtëpia jonë. Dashuria dhe mirënjohja që shqiptarët ndjejnë për Italinë u shfaq me përgjigjen e natyrshme të 30 mjekëve dhe infermierëve për të shkuar në 'vatrën e zjarrit' dhe ndihmuar kolegët e tyre italianë në këtë luftë të ashpër me koronavirusin.

Rrugëtimi i tyre drejt Italisë nuk ishte dhe aq i lehtë për ta dhe familjarët e tyre. Disa prej tyre nuk kanë dashur të shqetësojnë prindërit në këtë rrugëtim të vështirë që ndërmorën, duke mos i lajmëruar se do të nisen, por do i njoftonin me të mbërritur në Itali. Ato dëshironin të ishin atje, t'i tregoni Italisë së 'Shqipëria ju mbështet' duke bërë sakrifica dhe gjeste që prekin dhe emocionojnë.

10 mjekët dhe 20 infermierët e dërguar në Itali, nuk janë vetëm heronjtë dhe krenaria shqiptare, por dhe mesazhi e solidariteti njerëzor që bëri të gjithë botën të flas për ta.

Jemi në një kohë kur të gjithë vuajnë heshtjen dhe vetminë dhe është pikërisht momenti ku solidariteti dhe humanizmi duhet t'i zënë vendin indiferencës dhe të shfaqen vlerat e vërteta njerëzore.

Ato 30 mjekë dhe infermierë, dhe pse jo të shumtë në numër, dhanë mesazhin më njerëzor dhe emocionues se 'jeta, miku dhe mirënjohja' janë gjërat më të vlefshme dhe kjo mund  të gjejë mënyra shfaqje në çdo kohë.

Ashtu siç e cilësoi dhe vetë kryeministri Rama "Nëse nuk do e ndihmonim Italinë, do ishte një turp për ne" dhe me këtë janë në një mendje të gjithë shqiptarët, duke i 'tërhequr' veshin të gjithë botës.