TIRANE- Incidentet e javëve të fundit me karakter etnik të dënuara nga Bashkimi Europian dhe SHBA kanë vënë në lëvizje diplomacinë shqiptare dhe maqedonase. Incidentet e tilla mund t'u shkaktojnë dëm marrëdhënieve të mira fqinjësore, prandaj dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto i ndodhur në Shkup që prej ditës së djeshme, dhe homologu i tij maqedonas, Nikolla Poposki kanë bër apel për qetësi dhe vënie përpara drejtësisë të personave përgjegjës.

DHUNA NDAJ NXENESVE SHQIPTARE
Ministri i Jashtëm shqiptar i kërkoi Shkupit zbardhjen e plotë të incidenteve etnike dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, përfshirë dhe autorët e rrahjes së 15 nxënësve shqiptarë nga grupe të maqedonasve etnik.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë para drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politikë të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe mbështetje për institucionet e ligjit për trajtimin e këtyre ngjarjeve”, citohet të ketë thënë Ministri Haxhinasto, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Poposki, raporton europaelire.

DJEGIA E FLAMURIT SHQIPTAR DHE MAQEDONAS
Shefi i diplomacisë shqiptare është pyetur edhe lidhur me djegien e flamurit maqedanas në Burrel të Shqipërisë dhe me këtë rast ka dënuar jo vetëm këtë akt por edhe atë të djegies së flamurit shqiptar.

“Kam parë edhe incidente në të cilat është djegur flamuri shqiptar"- ka thene Haxhinasto, duke iu referuar djegies së flamurit nga organizata kristiane e quajtur Hristianska Organizacija- "Incidentet e tilla nuk guxojnë të ndodhin, pasi simbolet kombëtare janë të shenjta për çdo komb, për çdo qytetar. Por, ne sot konstatuam se këto incidente nuk i prishin raportet tona të shkëlyqeshme. Do të përsërisë edhe njëherë se është shumë me rëndësi që institucionet të veprojnë sipas ligjit”

"Cilido gjest, i cili synon prishjen bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në rajon dhe është ofendues për cilin do nga miqtë apo fqinjët tanë si në Maqedoni ashtu edhe në Shqipëri, duhet të dënohet dhe trajtohet në kuadër të institucioneve të sistemit. Kemi ardhmëri të përbashkët në kuadër të BE-së dhe NATO-s, ndajmë vlera të njejta dhe ashtu duhet të trajtohen të gjitha gjestet të cilat dëshirojnë ta prishin këtë qëllim dhe ardhmëri të cilën dëshirojmë ta ndërtojmë", ka thënë Poposki, raporton mia.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni, zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, është pritur edhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetëror ndërsa do të takohet edhe me përfaqësues të partive politike shqiptare.
(sg/europaelire/shqiptarja.com)