SHKUP - Një grup qytetarësh shqiptarë në Shkup mbrëmë para mesnate kanë tentuar të rrënojnë përmendoren e mbretit serb, Car Dushani.

Grupi prej rreth 30 personave, kanë goditur me sende të forta dhe çekiçë hekuri përmendoren, e cila ka pësuar dëme, por që nuk është rrënuar, transmeton INA.

Siç bëhet e ditur lidhur me këtë përmendore deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë se kush e kishte vendosur, përfshirë qytetin e Shkupit, Ministrinë e Kulturës apo edhe komunën Qendër, e cila theksoi se ajo është një ndërtim ilegal.

Nga ana tjetër, një pjesë e medieve kanë raportuar se në mesin e qytetarëve ka pasur edhe zyrtarë të BDI-së, por edhe aktivistë të shoqatave joqeveritare.

Pas disa minutave rasti është alarmuar nga qytetarë kalimtarë, që kanë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë ndërhyrë në parandalimin e rrënimit.

Ndërsa sot është organizuar një protestë para përmendores së Car Dushanit, me nismë të qytetarit Afrim Gashi. Protesta paqësore kishte për qëllim vënien e një pëlhure të zezë mbi përmendoren. Por protestuesit u penguan nga forcat e policisë, të cilët në numër të madh e kanë rrethuar skulpturën në urën "Syri".

Organizatori i protestës deklaroi para mediave se nuk ka ardhur për ta rrënuar këtë përmendore. “Ftesën për protestën e sotme e bëra haptas dhe ja ku jam haptas para gjithë juve, ndërsa ata që ndërtojnë tinëz, edhe rrënojnë tinëz. Meqë ditëve të kaluara u krijua një gjendje amullie e mospranimi i autorësisë së kësaj përmendore, e mora këtë iniciativë thjesht personale e qytetare, në mënyrë që përmes kësaj ta kuptojmë saktë dhe qartë kush e ka vendosur këtu këtë beton të quajtur Car Dushan. Këtë do ta bëjmë duke e mbuluar përmendoren me pëlhurë të zezë të turpit dhe ata që do ta zbulojnë, do t’i konsiderojmë si autorë të vendosjes së përmendores”, tha Afrim Gashi.

Pasi policia e ndaloi përpjekjen e protestuesve për ta mbuluar përmendoren, ata u shpërndanë të qetë.

car dushani
(Në foto: Monumenti i Car Dushanit).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)