Me ftesë të kryeministrit Edi Rama, dy ministrat shqiptarë të Maqedonisë, ai i Ekonomisë, Valon Saraçini dhe ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Abdylaqim Ademi ishin sot në Tiranë për të sqaruar qëndrimin e qeverisë maqedonase.
"Ne jemi këtu për të thënë që nuk do të marrim asnjë vendim, pa konsultim pa vendet fqinje. Projekti do të jetë gati në qershor. Nëse qeveria shqiptare nuk jep pëlqimin për projektin final, ky projekt nuk mund të realizohet."- tha ministri Saraçini në daljen publike para medias së bashku me 3 ministrat e kabinetit qeveritar shqiptar: Damian Gjiknuri i Energjetikës, Lefter Koka i Mjedisit, dhe Ditmir Bushati, ministri i Jashtëm.
Ministri i Mjedisit i qeverisë maqedonase, Ademi ka dashur të nënvizojë se ky projekt ide 90 % është negativ.
"Do të ketë një debat të hapur dhe nuk do të merret asnjë vendim që cënon jetën e banorëve të Dibrës.- tha Ademi.
Në emër të qeverisë shqiptare, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se, kjo qeveri në çdo moment do të mbrojë integritetin territorial dhe interesat kombëtare. Ndërkohë që ministri i Mjedisit, Lefter Koka u shpreh se: “Ndërtimi i HEC na shkakton dëm ekonomik. Nuk kemi luksin të bëjmë kompromise në kundërshtim me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare”.
Konferenca e përbashkët para gazetarëve e 5 ministrave të dy qeverive të vendeve fqinje u zhvillua sot paradite në kryeministri, pas takimit të përbashkët me kreun e qeverisë .
BUSHATI: OPOZITA SPEKULLON, QEVERIA DO TË MBROJË INTEGRITETIN TERRITORIAL
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se qeveria shqiptarë do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Ndodhem këtu për të bërë publike fakte konkrete dhe të dhëna në lidhje me çështjen e shumë përfolur, e cila falë spekullimit të opozitës është bërë objekt mediatik. Qeveria shqiptare ka një bazë të plotë të të dhënave dhe konventave ndërkombëtare ku aderon, sikundër kemi përpara një libër të madh gabimesh që na kanë lënë kundërshtarët në të ashtuquajturën negociata më sensitive. Jam këtu për të garantuar se kjo qeveri do të mbrojë dinjitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe interesat e kombit.”- tha Bushati
MINISTRI I MJEDISIT NE MAQEDONI, ADEMI: ASNJË VENDIM PA U KONSULTUAR
“Jemi për të informuar kryeministrin dhe ministrat e opinionin rreth temës shumë aktuale. Jemi për të sqaruar se kjo ide e vjetër në letër, sot për sot nuk ka një projekt të caktuar dhe një studim të përfunduar dhe nuk mund të trajtohet e nuk mund të ketë shqetësim as për opinionin dhe as për institucionet.
Jo vetëm qeveria e Maqedonisë por çdo vend kur ka një ide të tillë është e detyruar të thërrasë dhe vendet fqinje.
Projekti ideor nëse eventualisht do të zhvillohej më tujtje, do të kishte impakt edhe Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Ne jemi këtu për të thënë që nuk do të marrim asnjë vendim, pa konsultim pa vendet fqinje. Studimi, i cili duhet të përfundojë për impaktin në ambjentet jetësore, do të jetë bazë për të marrë vendimin nëse do të ndërtohet ky projekt.
Shqetësimin që kanë banorët e Dibrës dhe dibranët dhe gjithë rajoni i Rekës, do të jenë të thirrur në debatin publik që do të organizohet në këtë projekt kur të përfundojë studimi. Çdo lloj devijimi i ujërave është i ndaluar kur ka impakt negativ. Dua të bëj apel se nuk ka nevojë për shqetësime.
Jemi në bashkëpunim me qeverinë maqedonase dhe vendet fqinje me qëllim që të mos ketë asnjë vendimmarrje pa pasur konsultime, dhe vendimarrja do të jetë transparente."- tha Ademi.
MINISTRI I EKONOMISE NE MAQEDONI VALON SARACINI: NE QERSHOR VIJME ME PROJEKTIN NESE SHQIPERIA S'JEP PELQIMIN, NUK REALIZOHET
"Jemi në Tiranë me ftesë të kryeministrit Edi Rama për të diskutuar për një ide që kohët e fundit është sensiblizuar shumë e diskutohet se çfarë në të ardhmen planifikohet të bëhet. Siç thashë, është një ide e bukur në letër, projekt ideor, i cili ka qenë bazë e do të fillohet të punohet në projekt final. Projekt final nuk ka, është duke u punuar nga një kompani ndërkombëtare dhe mendohet të përfundojë deri në fund të Qershorit. Para studimit që do të tregojë impaktet mbi ambjentin mjedisor do të ketë debate publike, ku do të ketë edhe përfaqësues të Komunës së Dibrës së Madhe dhe organizatave joqeveritare.
Çështja e ekonomisë ujore duhet të zgijdhen me konsensus për bashkëpunim. Referuar konventave ndërkombëtare nuk mund të ndodhë që një shtet të veprojë arbitrarisht, pa pëlqimin e shtetit tjetër. Ne do të japim opinion në momentin e projektit final. Ne si Republikë e Maqedonisë do e kemi të gatshmë, do të lajmërojmë qeverinë shqiptare dhe kërkohet pëlqimi i saj. Nëse qeveria shqiptare nuk jep pëlqim për projektin final, ky projekt nuk mund të realizohet. Në fund, do të merret mendimi edhe komision të përbashkët të dy qeverive apo komisionit ndërshtetëror me projektin.
Siguroj gjithë shqiptarët, veçanërisht banorët e Dibrës së Madhe se nuk duhet ta kenë aspak shqetësim dhe panik lidhur me këtë projekt, se është ende në letër, në fazë ideore, duke u studiuar. Po qe se edhe dibrani i fundit do të jetë kundër këtij projekti, nuk do të realizohr. Në fund ne presim të marrim edhe pëlqimin e ministrit të ekologjisë së Ministrisë së Maqedonisë dhe të qeverisë shqiptare.”
ADEMi: PËR MUA PROJEKTI ËSHTË 90 PËRQIND NEGATIV
Pas fjalës hyrëse, ministri maqedonas iu përgjigj dhe pyetjeve të medias .
“Në fjalimin tim "Nuk mund ta paragjykoj që sot vendimin, por në kokën time e kam që 90 për qind do të jetë negativ, mirëpo nuk mund ta them 100 për qind, sepse duhet të thuhet në fazën kur duhet të jetë edhe studimi", tha Ademi duke iu përgjigjur gazetarëve.
“Meqënëse flasim për marrëveshje e bashkëpunime, jam që nga 2008-a në qeverinë e Maqedonisë dhe kam përvojë pozitive në bashkëpunime, veçanërisht në aspektin e ujërave. Kur bëhej fjalë për vërshimet në Shkodër, ku kemi ndihmuar në aspektin teknik dhe menaxherial të ujërave që duhej të lëshoheshin në Drinin e Zi dhe kaskadat atje. Dy qeveritë tona kamë bashkëpunime të mira e do të vazhdojmë. Kemi shumë projekte të tjera për të cilat do të bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare”, ka përfunduar Saraçini.
MINISTRI I MJEDISIT LEFTER KOKA : PROJEKTI NA DEMTON
“Nga ana ekologjike, banorët e Dibrës së Madhe janë më sensibël se krijon direkt probleme ekologjike. Nuk ka ministri të mos reagojë. Ndërtimi i hidrocentralit bie të jetë në dëm të ekonomisë, thjesht e qartë. Nuk kemi projekt. Nuk kemi luksin të bëjmë kompromise në kundërshtim me konventa e marrëveshje ndërkombëtare. “
MINISTRI GJIKNURI: TE MOS U LIHET VEND SPEKULIMEVE
Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri është shprehur se ka “qenë i vëmendshëm në lidhje me mpaktet e mundshme që mund të ketë ky projekt”.
“Me këtë synim, nisur nga interesat e detyrës që përfaqësoj dhe interesat e vendit kemi kërkuar shpjegim nga qeveria përkatëse në Maqedoni për këtë proces. Jemi në fazën e një projekti që nuk është miratuar në projekt. Siguroj publikun që Ministria e Energjetikës si pjesë e çdo strukture shtetërore, do të jetë e gatshme të vlerësojë impaktet e mëpasme që mund të lindin për territorin e Shqipërisë dhe burimet energjitike. Siguroj shqiptarët që përgjigjet gjenden te tradita e rregullimit të ujërave dhe marrëveshjet që rregullojnë këtë.
Shqipëria duhet të mos cenojë sigurinë energjitike dhe të hapë kontradikta që gjërat të jenë të qarta dhe mos u lihet vend spekullimeve”.
Sipas tij, “Kjo çështje është ngritur që në nëntor, por asnjë media shqiptare nuk e pasqyroi. Qeveria shqiptare tregoi interes se çfarë problemi mund të ketë në të ardhmen. Spekullimi politik është i pastër e gjithkush e kupton”.
Banka Botërore është duke bërë ende vleresime për projektin e paraqitur që prej vitit 2011, e sipas të cilit, sasia e ujrave që parashikohet të devijohen në kaskadën e Mavrovës do të jetë më e vogël se 2 metra kub për sekondë, që sipas burimeve të Bankës Botërore është më e ulët se sa parashikon marrëveshja për administrimin e ujrave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Banka Botërore thotë se projekti, që ende nuk është miratuar nga Bordi i Drejtorëve, ka ndeshur në vështirësi për shkak të konsideratave mjedisore dhe kundërshtimeve nga banorët në Maqedoni, meqë ai pritet të ndërtohet në një park kombëtar.
(sg/bg/shqiptarja.com)