Shoqata Shqiptare e Bankave, ben te ditur se, në fund të muajit Shkurt, vlera totale e overdrafteve për individët të dhëna nga sistemi bankar shqiptar ishte 8.3 miliardë lekë, ose rreth 59 milionë euro.
Vlera e tyre është afërsisht e njëjtë krahasuar me Shkurtin e vitit të kaluar, por statistikat tregojnë se ky produkt, ashtu si në përgjithësi kreditimi i ekonomisë, po orientohet gjithnjë e më shumë nga leku. Overdraftet në euro kishin vlerën e 2.1 miliardë lekëve, në rënie me mbi 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, overdraftet në monedhën vendase kanë arritur në afro 5.9 miliardë lekë, në rritje vjetore me rreth 10%. Overdraftet në monedhën vendase tashmë përbëjnë afro 75% të totalit dhe përgjithësisht është një product që ofrohet në monedhën e të ardhurave të kredimarrësit. Overdrafti apo paradhënia bankare është një produkt tipik i kredisë individuale për financimin e konsumit, në formën e një linje të hapur kredie që jepet në përpjestim me pagën mujore neto të çdo individi. /atsh/