Aksidenti tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, sipas ish-drejtorit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmeti, nxori në pah dështimin e sistemit për të ndalur shoferët problematikë.

I ftuar në “Sot Live” në Report TV, Ahmeti kërkoi heqje të përjetshme të patentës për drejtuesit e dehur që shkaktojnë viktima, ndërsa ngriti pikëpyetje edhe për mënyrën si autorit të aksidentit, Nikoll Radaçi, iu rikthye patenta pas shkeljeve të mëparshme në rrugët e vendit.

“Patenta duhej t’i ishte hequr por policia ia dha pas një muaji. Kush ka ndërhyrë? Çfarë manovrash janë bërë? I ka falur goma ndonjë shefi policie, mund të aludoj gjithçka për atë krijesë. Duhet të japin llogari ata që i kanë kthyer patentën”, tha Ahmeti.

Sipas tij, aksidentet fatale në Shqipëri shkaktohen kryesisht nga një grup i vogël shoferësh problematikë dhe për këtë arsye masat duhet të fokusohen pikërisht te ata.

“Unë jam partizan i masave drastike për shkelësit. Nuk janë më tepër se 5-6% të shoferëve që janë burim aksidentesh. Përgjysmohet kjo statistikë vetëm po të goditen ata. Super makinat sjellin këto situata. Ata sillen shumë keq. Gjoba është një nga elementët kryesorë por komuniteti duhet ta dijë që policia e bën punën dhe nuk i fal shkelësit”, deklaroi ish-kreu i Rrugores.

Ahmeti kërkoi edhe ndryshime të forta në Kodin Rrugor dhe Kodin Penal, duke thënë se ligji aktual nuk po jep rezultat.

“A e dini si e kanë bërë Kodin Rrugor dhe atë Penal? Si peta e byrekut, ngado ta kthesh njësoj do jetë nëse nuk i hedh pak gjalpë ose vaj. Me Kodin e vitit 1998, faktet ishin rezultative, ulën kurbën e shkeljeve që ishin burim aksidenti. Në fokus duhet të jenë 2-3 shkelje që janë burim aksidentesh. Kurba do të binte në mënyrë drastike brenda 6 muajve”, u shpreh ai.

Duke folur për situatën në rrugë, Ahmeti tha se aksidentet ndikohen nga shumë faktorë dhe jo vetëm nga drejtuesit e mjeteve, por edhe këmbësorët

“Aksidentet në përgjithësi ndikohen nga shumë faktorë. Njerëzit po kalojnë në një depresion të vazhdueshëm që reflektohet edhe në sjellje. Mënyra se si këta drejtues mjeti sillen në trafik, por edhe këmbësorët në rrugë. S’mund ta ketë fajin vetëm drejtuesi i automjetit por rregullat duhet t’i zbatojë edhe këmbësori”, tha Ahmeti.

Ai nuk beson se shtimi i patrullave të policisë mund të ndikojë ndjeshëm në uljen e aksidenteve, pasi sipas tij problemi duhet goditur te burimi.

“Nuk e mbulon dot me patrulla. Edhe 100 patrulla po të kesh, aksidenti ndodh në fraksion sekondi. Aksidenti është njerëzor. Ne duhet të parandalojmë me veprime që të godasim elementët që janë burim aksidentesh dhe të minimizojmë pasojat kur ndodh. Edhe rripi është i rëndësishëm për minimizimin e dëmtimeve”, deklaroi ai.

Në fund, Ahmeti kërkoi ndryshim të menjëhershëm të ligjit për shoferët që kapen në gjendje të dehur.

“Ta shkruajnë në ligj që kushdo që kapet në gjendje të dehur duhet t’i hiqet patenta përjetësisht”, përfundoi ai.