Sokrat Vata
Ibraim Leimoeiv, një nga francezët që shoqërohej me portugezin Luis Miguel Varela Mendes që u vra në Ksamil, ka deklaruar në dëshminë e tij se me shokët kanë qenë në disko klub ‘Principote’ dhe po festonin, më pas kanë dalë dhe kanë shkuar tek shezlonget të gjithë së bashku.
Dëshmia e tij ngjason me atë të Adib Ghanmi, një tjetër francezi në grupin e tyre pasi thotë se një person ka ofenduar në frëngjisht nga nëna, shokun e tyre. Aty ka nisur konflikti ku u përfshinë dhe të tjerë, kur ai ka parë Sokrat Vatën të qëllojë me thikë dy prej tyre, siç pretendoi edhe Ghanmi. Njëra prej goditjeve ishte fatale për portugezin 20-vjeçar. Leimoeiv i ka vënë bluzën e tij në plagë shokut, ndërsa para hetuesve ka identifikuar Vatën si njeriu që vrau të riun.
“Aty ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt.
Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit.
Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, është shprehur Leimoeiv.
I pyetur nëse e njeh personin, i cili goditi me thikë, ai u përgjigj që nëse e shikon mund ta dallojë dhe pasi i është vënë përpara fotoja e Sokrat Vatës, ai e ka njohur dhe ka deklaruar se ky ishte personi që kishte thikën dhe kishte goditur shokun e tij.
Lajmi kryesor:
Vrasja e portugezit në Ksamil, Report Tv zbardh dëshmitë e shokëve: Ishim te shezlongët dhe na shanë nga nëna, Vata ia nguli thikën në zemër! Plagosi edhe një tjetër






