Të paktën tetë nxënës dhe një mësues janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë në një shkollë në jug të Turqisë, ka thënë ministri i Brendshëm Mustafa Çifçi. Ngjarja ndodhi në shkollën e mesme “Ayser Çalik” në zonën e Kahramanmaraşit, ku Çifçi tha se 13 persona u plagosën, ku 6 prej tyre janë në gjendje kritike.
Autori, një 14-vjeçar dhe nxënës i kësaj shkolle, mbeti gjithashtu i vrarë. Ai hyri në dy klasa dhe kishte me vete pesë armë dhe shtatë karikatorë. Guvernatori lokal Mukerrem Ünlüer tha se armët i përkisnin babait të nxënësit, një ish-oficer policie. Ky i fundit është arrestuar.
Motivi i sulmit të së mërkurës ende nuk dihet dhe ka nisur një hetim.
Në disa video, shihen njerëz që hidhen nga dritaret e katit të parë të shkollës dhe largohen me vrap nga ambientet gjatë kohës që ndodhte sulmi.
“Zhurma e të shtënave ishte shumë e fortë,” tha një gazetar, duke shtuar se kishte “panik përpara shkollës”. Pasi u përhap lajmi për të shtënat, prindër të përlotur u mblodhën jashtë ndërtesës.
“Fëmija im e pa skenën dhe tha: ‘Babi, shoku im u plagos’,” tha një prej tyre për AFP, teksa shtoi: “Si do t’i çoj përsëri fëmijët e mi në këtë shkollë?”
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se u uron “shërim të shpejtë fëmijëve tanë, familjeve tona dhe mësuesve tanë” në një postim në X.
Ngjarja vjen një ditë pasi 16 persona u plagosën kur një ish-nxënës hapi zjarr në një tjetër shkollë të mesme, gjithashtu në jug të vendit, përpara se të vriste veten.
Një video që qarkullon në internet dyshohet se tregon 14-vjeçarin pak para se të kryente sulmin e rëndë në shkollën e tij në Turqinë jugore.
Sipas mediave video është regjistruar nga shokët e tij të klasës pak para sulmit vdekjeprurës në provincën Kahramanmaras ku humbën jetën 9 persona.
Në pamjet filmike, i mituri shihet duke ecur nëpër klasë teksa shihet edhe teksa kërcen. Një shenjë ndoshta paralajmëruese ishin duart e tij të cilat i kishte bashkuar dhe kishte ngritur gishtat treguar në formë armë. Adoleshenti kreu vetëvrasje menjëherë pas sulmit.
Turqia po reagon fort pas dy sulmeve të përgjakshme në shkolla: 162 persona janë arrestuar për postime në rrjete sociale që lavdëronin autorët dhe nxisnin dhunë, ndërsa mbi 1100 llogari janë bllokuar.
Masat vijnë menjëherë pas dy ngjarjeve të rënda që tronditën vendin brenda pak ditësh.
Në Kahramanmaras, një 14-vjeçar hapi zjarr në një shkollë, duke vrarë 8 nxënës dhe një mësues, ndërsa 13 të tjerë mbetën të plagosur, disa në gjendje kritike. Edhe vetë autori humbi jetën gjatë sulmit. Sipas hetimeve, ai e kishte planifikuar paraprakisht ngjarjen dhe kishte referenca ndaj Elliot Rodger.
Një ditë më parë, një tjetër sulm ndodhi në një shkollë në juglindje të vendit, ku një ish-nxënës qëlloi pa dallim, duke lënë 16 të plagosur përpara se të vriste veten.
Pas këtyre ngjarjeve, autoritetet turke kanë ndërhyrë edhe në hapësirën online. Ministri i Drejtësisë Akın Gürlek bëri me dije se të ndaluarit akuzohen për shpërndarje videosh nga sulmet, përhapje paniku, nxitje dhune dhe dezinformim.
Po ashtu, 67 persona të tjerë janë ndaluar pasi dyshohet se kanë publikuar mesazhe që paralajmëronin sulme të reja në shkolla.
Ndërkohë, vendi është në zi. Qindra qytetarë janë mbledhur për funeralet e viktimave, ndërsa familjarët kërkojnë masa më të forta sigurie në shkolla për të shmangur tragjedi të tjera.
Komente







