Të paktën tetë nxënës dhe një mësues janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë  në një shkollë në jug të Turqisë, ka thënë ministri i Brendshëm Mustafa Çifçi. Ngjarja ndodhi në shkollën e mesme “Ayser Çalik” në zonën e Kahramanmaraşit, ku Çifçi tha se 13 persona u plagosën, ku 6 prej tyre janë në gjendje kritike.

Autori, një 14-vjeçar dhe nxënës i kësaj shkolle, mbeti gjithashtu i vrarë. Ai hyri në dy klasa dhe kishte me vete pesë armë dhe shtatë karikatorë. Guvernatori lokal Mukerrem Ünlüer tha se armët i përkisnin babait të nxënësit, një ish-oficer policie. Ky i fundit është arrestuar.

Motivi i sulmit të së mërkurës ende nuk dihet dhe ka nisur një hetim.

Në disa video, shihen njerëz që hidhen nga dritaret e katit të parë të shkollës dhe largohen me vrap nga ambientet gjatë kohës që ndodhte sulmi.

“Zhurma e të shtënave ishte shumë e fortë,” tha një gazetar, duke shtuar se kishte “panik përpara shkollës”. Pasi u përhap lajmi për të shtënat, prindër të përlotur u mblodhën jashtë ndërtesës.

“Fëmija im e pa skenën dhe tha: ‘Babi, shoku im u plagos’,” tha një prej tyre për AFP, teksa shtoi:  “Si do t’i çoj përsëri fëmijët e mi në këtë shkollë?”

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se u uron “shërim të shpejtë fëmijëve tanë, familjeve tona dhe mësuesve tanë” në një postim në X.

Ngjarja vjen një ditë pasi 16 persona u plagosën kur një ish-nxënës hapi zjarr në një tjetër shkollë të mesme, gjithashtu në jug të vendit, përpara se të vriste veten.