TIRANE - Shoqëria civile organizoi sot një homazh para godinës së Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, për Ajshe Vatën, 18-vjeçaren e masakruar nga 80-vjeçari Shaban Norja. Më shumë se sa një përkujtimore, organizimi i sotëm ishte një thirrje ndaj shoqërisë shqiptare dhe mënyrës së si ajo funksionon në gjykimin e këtyre fenomeneve.

Intelektualë, shkrimtare, pedagog, gazetar, shoqata të grave e të drejtave të njeriut, anëtarë të FRESSH si dhe qytetarë të thjeshtë ndezën sot qiri e vendosën lule mbi fotot e Ajshe Vatës për t’i dhënë një lamtumirë simbolikë vajzës që mori nën dhe e foshnjën e saj 11 javëshe.

Për të pranishmit në këtë homazh, faji mbetet mbi të gjithë shoqërinë e cila “edukon vajza të mbyllura, të frikësuara, të ndrydhura që mbeten të pambrojtura në botën jashtë, që është e çmendur dhe e egër”.

“Për Ajshen nuk pati vlerë që i ati e shoqëronte ditë për ditë tek autobusi, nuk pati vlerë që familja kujtoi se e mbroi nderin e saj, nuk pati vlerë asnjë fjalë e mirë që thoshte për të lagjia dhe shoqëria sepse Ajsha bashkë me fëmijën e saj janë sot shtatë pash nën dhe”, ishte ky mbishkrimi i vendosur mbi foton e Ajshes, pranë së cilës u vendosën lule e qirinj për të nderuar kujtimin e saj e për t’i dhënë lamtumirës që familja e saj dhe opinioni nuk mundi t’ia japë.

Thirrja e shoqërisë civile sot u drejtua sidomos ndaj prindërve shqiptarë “Mbrojini dhe mbështetini vajzat tuaja sepse as nderi as tradita as ndonjë tjetër vlerë sociale, nuk kanë më shumë vlerë se jeta e tyre. Mos edukoni vajza të mbyllura, të frikësuara, të ndrydhura që mbeten të pambrojtura në botën jashtë që është e çmendur dhe e egër. Çfarë vlere ka opinioni para jetës? Qindra vajza dergjen nën dhe të masakruara nga burra që i quajnë një pronë. Qindra vajza gjenden në burgje se u është dashur të vetëmbrohen. Prindër, shoqëri ky është faji juaj.”

Ajshe Vata u vra e më pas u masakrua më 14 tetor nga 80-vjeçari Shaban Norja i cili për të humbur gjurmët i preu kokën me thikë duke e varrosur disa metra larg vendit ku e masakroi. Norja u arrestua dje nga policia e Durrësit, ndërsa pranoi krimin ai tha se kishte pasur lidhje me Ajshen e cila ishte 11 javëshe shtatzënë. Ekspertiza mjeko-ligjore nxorri se babai i foshnjës ishte 80-vjeçari Shaban Norja.

(Gre.M/Shqiptarja.com)