TIRANE- Problemet ekonomike, shkaqet sociale, stresi apo edhe konfliktet ndërpersonale paraqiten si arsyet kryesore që shtyjnë individët drejt aktit të vetëvrasjes. Shoqëria në tërësi është nënshtruar ndryshimeve të theksuara që prej periudhës së tranzicionit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë në jetën e gjithsecilit. Media e kritikuar vazhdimisht për transmetimin e këtyre rasteve, ka ulur ndjeshëm  interesin dhe paraqitjen e të tilla akteve në publik. Vetë shoqëria po reflekton gjithmonë e më shumë për uljen e këtij fenomeni i cili ka filluar të shfaqet më shumë në  moshat e reja.

Arsyet ekonomike vlerësohen si shkaku kryesor që çon individët drejt vetëvrasjes. Të dëshpëruar, të papunë dhe pa një të ardhme, shumë individë zgjedhin ti japin fund jetës.  Të tjera arsye që nxisin vetëvrasjen janë konfliktet në familje, varësia nga lëndët narkotike dhe lojërat e fatit si dhe stresi.  Depresioni i shkaktuar prej faktorëve të ndryshëm social, është shndërruar së fundmi si një nga shkaktarët më kryesor që duhen luftuar.

Parandalimi
Në vendin tonë nuk ka struktura shtetërore të veçanta të cilat të merren me parandalimin e vetëvrasjeve. Por nëse vetë shoqëria përpiqet të marrë masa kundra kësaj dukurie numri i personave që do të tentojnë ti japin fund jetës do të vijë drejt rënies. Mënyra se si duhen trajtuar individët që priren drejt kësaj dukurie, duhen evidentuar duke iu ofruar një ndihmë psikologjike dhe sociale. Shpesh herë rastet e vetëvrasjes janë të përsëritura. Pra personat që marrin këtë vendim kanë tentuar që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe më parë.

Në Shqipëri përllogaritet që për çdo 100 mijë banorë shërben vetëm 1 mjek psikiatër apo një qendër e shërbimit psikiatrik.  Një shifër jashtëzakonisht e ulët kjo në krahasim me tentativat e përsëritura të vetëvrasjes. Një tjetër shkak që mund të ndihmonte në uljen e numrit të vetëvrasjeve do të ishte edhe krijimi i më shumë mundësive punësimi dhe jetese më të mirë. Pak muaj më parë një aksion i ministrisë së Brendshme pati për synim mbylljen e qendrave të lojërave të fatit. Humbja e shumave të mëdha të parave në këto pika dhe problemet sociale që krijohen në vazhdimësi nga lojërat e fatit shkarkojnë probleme të forta nervore që përfundojnë deri në vetëvrasje.


Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)