TIRANE - Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënon shoqërimin në polici të disa ish-të përndjekurve politikë, me pretendimin e policisë se do të qëllonin me domate eskortën e presidentit Nishani.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat KSHH thekson se e konsideron të kundraligjshëm veprimin e punonjësve të policisë së Komisariatit numër 3, Tiranë “sepse nuk mbështetet në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe de facto është ndalim, jo shoqërim. Mirëpo, sipas Kodit të Procedurës Penale personi mund të ndalohet kur dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton një dënim, jo më të ulët se 2 vjet.”

KSHH konsideron gjithashtu jo të ligjshme dhe jo transparente, qëndrimin e drejtuesit të Komisariatit numër 3 që nuk lejoi grupin e këtij komiteti të monitoronin rastin dhe as të merrnin takim direkt me personin dhe të kqyrnin dokumentacionin përkatës.

KSHH i sugjeron organeve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Prokurorisë të verifikojnë ligjshmërinë e veprimeve të punonjësve të policisë të Komisariatit numër 3, Tiranë, ndërsa theksohet se ish-të përndjekurve të shoqëruar në polici u është shkelur e drejta për liri dhe siguri.

Ish-të përndjekurit politik u shoqëruan paraditen e sotme në ambientet e komisariatit nr 3, ndërsa u liruan gjatë orëve të pasdites. Sipas policisë së kryeqytetit shoqërimi i tyre u bë pasi ish-të përndjekurit politikë do të qëllonin me domate eskortën e presidentit Bujar Nishani kur ai të futej në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)