Në ndryshimet që lidhen me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, pjesë e paketës fiskale për vitin 2027, qeveria synon të reduktojë privilegjet për industrinë turistike. Për hotelet me 5 yje dhe për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, nga 6% që ky tatim është në fuqi prej vitit 2019, propozohet të rritet në 10%.
Kjo rritje e TVSH-së është kundërshtuar njëzëri në Komisionin Ekonomisë nga të gjitha shoqatat e turizmit, të cilët thonë që me këtë rritje të barrës tatimore do të ulet konkurrueshmëria e sektorit që kontribuon në më së shumti në ekonomi.
Zak Topuzi: Mendoj se zgjidhja më e mirë është 6% dhe formalizimi i tregut. Evropa nuk ka të ulur vetëm TVSH e akomodimin por edhe për ushqimin. Mali i Zi ka 7% akomodimin dhe 7% edhe ushqimin, Italia i ka 10/10, Greqia e ka 10% akomodimin, dhe 13% ushqimin. Ne humbasim konkurrueshmërinë nëse mbajmë këtë nivel taksash. Propozojmë që industria e turizmit që po mban ekonominë, të stimulohet në këtë moment të rëndësishëm. Rënia e euros është një godtije shumë e madhe për industrinë.
Dionis Sota: Rreth 30% e akomodimit në vend mund të jetë informal, ky është një investigim i bërë nga ne dhe kërkon verifikim nga institucionet. Rritja e barrës tatimore pa luftuar informalitetin mund të thellojnë pabarazinë.
Arben Cipa: Ne kemi humbje 30% të të ardhurave vetëm prej kursit të këmbimit. TVSH-ja është diçka që ne e prekim çdo ditë.
Eduart Xhepa: Kërkojmë zgjatje të kohës oër të aplikuar paketën fiskale. Nëse TVSH-ja bëhet 10% TVSH-ja për hotelerinë, duhet të bëhet patjetër 10% edhe TVSH-ja për ushqimet dhe pijet.
Lajmi në përditësim....

Në seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, edhe Shoqata Manifaktura ka kërkuar rishikim të paketës fiskale, e sidomos tek pagat. Me ndryshimet e ligjit të tatimit mbi të ardhurat vijojnë të mbeten të patatuara pagat deri në 50 mijë lekë, që është minimalja. Ndërsa për ato deri në 60 mijë lekë në muaj tatimi do të jetë 13% por vetëm për një pjesë të pagës prej 35 mijë lekësh.
“Një pagë mbi 50 mijë lekë tatohet që nga 35 mijë lekëshi dhe dëmton shumë punonjës. Deri në pagën 64 mijë lekë neto ose 80 mijë lekë bruto të mos ketë tatim, e konsiderojmë pagë mbijetese”, tha Zekja.
Gjithashtu u ri-kërkua që të merren masa për zhvlerësimin e valutave që po godet eksportuesit.
“Këmbimin e euros e bën çdo pikë tregtare, është fenomen shfaqet vetëm në Shqipëri dhe çon në informalitet me kursin. Për sektorin tonë kemi rënie dyshifrore prej euros, duhet të merreshin parasysh, situata është alarmante”, tha Florian Zekja.
Kundër ndryshimeve të ligjore të propozuara, nga ulja e pragut të TVSH-së, rritja e dividendit nga 8% në 15% apo e TVSH-së standarde nga 20% në 21% ishin edhe Instituti i Kontabilistëve, Konfidustria Shqiptare si dhe Konfindustria që përfaqëson bizneset italiane.

Po me ndryshimin e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar futen në pragun e TVSH-së gati 18 mijë bizneseve të vogla në regjimin e TVSH-së, pasi ulet pragu i xhiros nga 10 milionë lekë që ishte në 5 milionë lekë.
Profesionistët e lirë paralajmërojnë se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese nëse miratohet kjo ulje e pragut të TVSH-së, njëjtë siç dërguan para dy vitesh edhe ligjin për tatimin e profesionistëve të lirë, që e fituan këta të fundit, dhe shteti u detyrua ti kompensojë.
“Ulja e pragut te TVSH na prek të gjithëve, ne profesionistëve të lirë. Merrni në konsideratë vendimet e GJ. Ulja e pragut në mënyrë kaq drastike, penalizon profesionistët dhe nga ne konsiderohet një ndërhyrje jo proporcionale. Ky ligj nëse kalon në këtë formë do të shkojë në gjykatën kushtetuese. Shumica e çështjeve administrative kanë si palë administratën tatimore. Me këto ndryshime edhe qytetari do të paguaj një faturë ekstra sepse është rritur TVSH-ja standard nga 20 në 21%. Kjo është një kosto që duhet të mbahet parasysh. Edhe ligji i TVSH-së dhe ndryshimet tek dividendi janë me efekt prapaveprues në shkelje të Kushtetutës, ju kërkojmë të reflektoni, ose ndryshe shkojmë përsëri në Gjykatën Kushtetuese. Këto ndryshime të shpeshta ligjore nuk japin siguri juridike”, tha avokati Lulzim Alushaj.
Ndërsa kontabilisti Artur Papajani tha se kjo ulje e pragut do të shtojë informalitetin.
“Kjo shpeshtësi e lëvizjeve të pragut nuk është parë në ndonjë shtet. Janë një sërë zërash që do të rëndojnë në xhepat e shtetit. Ky prag s’ka lidhje me informalitetin, sepse kush është në prag është i regjistruar. Kur ulet pragu ka hapësira informaliteti, sepse do të copëzohen bizneset në disa NIPT-. Për Shqipëri pragu i TVSH-së optimal duhet të jetë 8 mln lekë, që është në përputhje me mesataren e Direktivës së BE”, shprehet kontabilisti Artur Papajani.










Komente
Komento