Në Montekarlo ka marrë formë sot sezoni i ri i Champions League i cili premton spektakël si gjithmonë që në fazën e grupeve. Ashtu siç pritej nuk ka munguar grupi i ‘ferrit’, që do të jetë grupi F, ku bëjnë pjesë Barcelona, Borusia Dortmund, Inter dhe  Slavia Praga. Një short i pamëshirshëm për Interin që edhe sezonin e  kaluar shorti e detyroi të përballet në të nëjëjtin grup me Barcelonën, Tottenham dhe PSV, duke mos arritur që të kalonin më tej. Gjithsesi me Conte-n kurrë nuk mund të thuhet kurrë.

Juventus ndërkohë e cila merrte pjesë në short si skuadër e renditur në vazon 1 ka qenë më me fat, pavarësisht se në grup ka Atletico Madridin, skuadrën të cilën sezonin e kaluar e eliminoi në 8-she. Së bashku me Juven dhe Atletico-n në Grupin D janë edhe Leverkusen e Lokomotiva Moskës.

Në Grupin A Paris SG do të përballet me gjigandët e Real Madrid, Club Brugge dhe Galatasaray. Përballje interesante do të ketë edhe në Grupin B ku shorti përzgjodhi skuadrat si Bayern Mynchen, Tottenham, Olympiacos dhe Crvena Zvezda. Në Grupin C Manchester City ka qenë më me fat nga skuadra e mëdha pasi është shortuar me Shakhtar Donetsk, Dinamo Zagreb dhe Atalanta.

Në Grupin E Liverpooli kampion në fuqi i Champions League do të përballet me Napolin, një skuadër të cilën e ndeshi edhe vitin e kaluar, ndërsa së bashku me ta do të jenë edhe Salzburg e Genk. Në Grupin G janë shortuar Zenit, Benfica, Lyon dhe Leipzing, ndërsa në Grupin H bën pjesë Chelsea kampion i Europa League, Ajax, Valencia dhe Lille.