Shorti i tretë zgjidh ngërçin për vakancat në KLGJ dhe KLP

Shorti i tretë zgjidh ngërçin për vakancat në KLGJ dhe KLP

Foto nga shorti për vakancat në KLGJ dhe KLP

Violanda Theodhori zgjidhet me short anëtarja e re në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga radhët e shoqërisë civile, ndërsa gara për Këshillin e Lartë të Prokurorisë futet në një procedurë formale me vetëm një kandidat, Erjon Fejzullën.

Nënkomisioni “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që përfaqësojnë shoqërinë civile” hodhi të martën shortin e tretë për zgjedhjen e vakancave në dy këshillat.

Nga një garë vetëm me dy kandidatë për KLGJ dhe një për KLP, shorti i tretë nxori fituese për KLGJ Violanda Theodhorin, ndërsa Erjon Fejzulla doli kandidat i vetëm për KLP.

Juristja Theodhori ishte renditur e fundit në rankimin e listës me 6 kandidatë që i dërgoi Kuvendit komisioni Ad-hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve, ku kandidatët prezantuan platformat e tyre për këshillat gjatë seancave dëgjimore.

Në dy shortet e para me gogla ishte përzgjedhur Fejzulla si kandidat për KLGJ, por ai nuk arriti të merrte votat nevojshme prej dy të tretash në seancë plenare.

Zgjedhja e anëtarit të KLP ishte futur në ngërç duke mbetur pa asnjë kandidat, por goglat duket se e zgjidhën këtë gjë duke paracaktuar nga një kandidat për secilin këshill.

Para hedhjes së shortit, Nënkomisioni nuk arriti të bënte një votim formal për kandidatët për shkak të mungesës së anëtarëve të opozitës. Drejtuesja e mbledhjes, Klotilda Bushka njoftoi se në kushtet kur nuk mund të zhvillohej procesi i votimit do të vijohej me procedurën e përgjedhjes me short.

Në raundin e tretë të votimit, kandidatja Theodhori zgjidhet automatikisht si anëtare e KLGJ, mjafton të marrë një shumicë të thjeshtë votash në seancën plenare të së enjtes.

Ajo do të zëvendësojë kryetaren aktuale të këtij këshilli, Naureda Llagami, së cilës i ka përfunduar mandati që në dhjetor 2023. Ndërsa Fejzulla nëse zgjidhet, do të zërë vendin vakant të lënë nga Alfred Balla në KLP, i larguar nga procesi i vetingut.

Nëse Kuvendi nuk e voton në seancën më të afërt plenare, Fejzulla pritet t’i nënshtrohet procedurës formale të shortit pa rivalë edhe 2 herë të tjera.

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj në këshillat e drejtësisë është kontestuar në vazhdimësi nga opozita, kryesisht për skualifikimin me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të 4 kandidatëve që kishin kaluar verifikimin formal nga një komision i pavarurar i ngritur nga Avokati i Popullit.

Procedura e plotësimit të vakancave në dy këshillat u hap në korrik të vitit të shkuar, dhe vetëm në korrik të këtij viti Kuvendi arriti të zgjedhë me short 4 anëtarë nga radhët e avokatëve për dy këshillat.

Ndërsa gara për 2 anëtarët e tjerë nga radhët e shoqërisë civile u zgjat në kohë për shkak të proceseve gjyqësore, verifikimit ligjor nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe ngërçit të krijuar me  numrin e minimal të kandidatëve të kualifikuar nga nënkomisioni i posaçëm, vetëm dy emra për dy vende vakante./BIRN

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kulluri ironizon Korreshin: Që të bëhet deputet, duhet të bëjë vertikalen poshtë ballkonit të Berishës

Kulluri ironizon Korreshin: Që të bëhet deputet, duhet të bëjë vertikalen poshtë ballkonit të Berishës