Fati nuk është treguar shumë bujarë me kombëtaren shqiptare të futbollit në shortin për Eliminatoret e Kampionatit të Futbollit të Femrave, që do të zhvillohet në Kanada më 2015. Pas kualifikimit në paraeliminatoret e një botërori për herë të parë, kombëtarja e femrave ka mësuar emrat e kundërshtarëve. Shorti nuk është aspak i lehtë, pasi e vendos përballë emrave të njohur të futbollit botëror. Shqipëria është pozicionuar në grupin e 5 dhe do të ketë përballë ekipe, si Holanda, Norvegjia, Belgjika, Portugalia dhe Greqia. Megjithatë kombëtarja shqiptare e futbollit për femra e ka kaluar objektivin e parë, pasi ndryshe nga ekipi i meshkujve merr pjesë në një kampionat botëror futbolli. Trajneri i kombëtares, Altin Rraklli atë që nuk e arriti kur ishte vetë futbollist, e arrin me kombëtaren e femrave. Ndeshjet e para luhen më 20 dhe 21 shtator të këtij viti.
Grupi 5
Norvegjia
Holanda
Portugalia
Belgjika
Greqia
Shqipëria