Kozma Jano kandidat nga radhët e prokurorëve për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është skualifikuar nga gara pas denoncimit të PD se ka qenë anëtar i Sigurimit të Shtetit si dhe ka mbajtur nofkën "Telefoni". Sipas selisë blu, Kozma Llaqi Jano i ditëlindjes 1956 në Lushnje, është rekturuar nga Sigurimi i Shtetit në 29 qershor 1977, pra 21 vjeç në kategorinë “Informator” me pseudonimin “telefoni”. Sipas kartelës model 2 të publikuar ne kohen e denoncimit nga  PD veprimtarinë ai do ta kryente në portin e Durrësit. Dokumenti mban firmën e zv.titullarit Kapllan Shehu.

Në mbledhjen e sotme të komisionit ad hoc për zgjedhjen e organeve të reja të drejtësisë, Ulsi Manja deputet i PS dhe njëherazi anëtar i komisionit të ligjeve, ka propozuar që Jano të mos jetë me pjesë e shortit.

Ndërkohë, Manja ka kërkuar nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve që të rifillojë verifikimin për Kozma Janon pasi edhe vetë kandidati ka kërkuar të verifikohet e shkuara e tij, ndërsa më herët ka mohuar akuzat në adresë të tij. "Nuk jam përfshirë në asnjë marrëdhënie me Sigurimin e Shtetit, por as si individ dhe as në ushtrimin e profesionit tim, nuk kam dëmtuar asnjë person, në asnjë lloj forme, si gjatë diktaturës ashtu edhe gjatë demokracisë. Letra e bakallit me sfond të zi dhe “stilolaps blu” që u publikua sot, është një sajesë e shkruar me dorën e atyre që akuzuan, vetëm e vetëm me qëllimin e përballjes së emrit tim", ka thënë Jano. 

Kozma Jano u përzgjodh në pesëshen e parë të shortit për në KLP, i cili u rrëzua nga Kuvendi, ndërkohë që në shortin e dytë, pas rrëzimit gjithashtu nga Kuvendi, emri i tij nuk doli nga goglat fituese.

Herën e tretë që lista do dërgohet në Kuvend, Kozma Jano nuk do jetë pjesë e shortit për anëtar të KLP. Lista e cila do dalë nga goglat sot do t'i çohet Kuvendit seancën e të enjtes për t'u hedhur në votim. Nëse kjo listë nuk merr 94 vota, ajo miratohet automatikisht. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com