Në Shën Peterburg në Pallatin Konstandin është hedhur shorti për kualifikueset e Kupës së Botës 2018 që do të organizohet në Rusi. Shorti ka përcaktuar rrugën për ekipet e pesë konfederatave të futbollit në botë. 

Përjashtim bën vetëm Konfederata Aziatike, e cila ka nisur tashmë kualifikueset. Sa i takon Evropës, ekipet janë ndarë në 9 grupe, ku Shqipëria bën pjesë në Grupin G. 

Shqipëria në Grupin G

Grup ferri por edhe spektakolar njëkohësisht për Shqipërinë në kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”. Në shortin e hedhur sot në Shën Peterburg, Shqipëria u bë pjesë e Grupit G ku do të luajë me dy ish-kampionët e botës si Spanja dhe Italia që janë kundërshtarët e mëdhenj ndërsa kundërshtarët më të lehte janë Izraeli, Maqedonia dhe Lihtenshtejni.

De Biasi do të përballet me Italinë e tij por edhe kombëtarja kuqezi gjen për herë të parë “Të kaltërit” në një fushatë kualifikuese. Po ashtu do të jemi edhe në grup me Spanjën që deri para një viti dominonte futbollin botëror. Kuqezinjtë do ta kenë shumë të vështirë kualifikimin pasi në Rusi shkon e para e grupit dhe e dyta në play-off. Madje kur në grup ke dy kampionë bote si Spanja e Italia kualifikimi mund të jetë i pamundur.

grupet

Kualifikueset

“Së bashku do të jenë 851 ndeshje që do të luhen në 33 muajt e ardhshëm nga ku do të dalin 31 ekipe të cilat do të udhëtojnë në Rusi”, tha Jerome Valcake, Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s. Në ceremoninë hapëse mbajtën fjalim presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i FIFA, Sep Blater.
 

Evropa

52 ekipe nga Evropa janë ndarë në shtatë grupe me nga gjashtë ekipe ndërsa dy grupe janë me nga pesë ekipe.

Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Holanda janë në grupe me nga gjashtë ekipe, kjo për shkak të të drejtave televizive.

Nëntë fitueset e grupit do të kualifikohet direkt për në “Rusia 2018”, kurse tetë ekipet e dyta më të mira do të marrin pjesë në play-off.


Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)