TIRANE - Pas shpërthimit me tritol në farmaci, Policia e Tiranës ka marrë në mbrojtje prindërit e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në orët e para të mëngjesit (rreth orës 02:50) farmacia e Bashkim Tahirit, babait të ministrit, shpërtheu me lëndë eksplozive të llojit tritol duke shkaktuar dëmë të konsiderueshme materiale, por pa te lenduar ne njerez pasi ne ate ore ne farmaci nuk ka qene asnje person. Farmacia ndodhet përballë pediatrisë së QSUT-së në rrugën “Kongresi i Manastirit”. 

Vetëm një orë pas këtij shpërthimi një tjetër atentat u shënua në rrugën “Arben Minga” ndaj shefit të Krimeve në Korçë, Alfred Numani. Lënda eksplozive ishte vendosur në hyrjen e banesës së tij, në katin e 5 të një pallati të vjetër duke lene vetem deme materiale.  Po ashtu pak pas orës 06:00 u regjistrua një tentativë shpërthimi me tritol, ku policia gjeti dy kallëpe në një stacion autobusi në rrugën “Muhamed Gjollesha”, te cilat u plasen me shperthim te komanduar.

Prokuroria tashmë ka nisur hetimet për këtë të treja këto ngjarje të cilët i ka cilësuar akte terroriste.

Redaksia Online
(Gre.M/shqiptarja.com)