Shpërthimi në Mitrovicë, Vetëvendosje:
Qeveria përgjegjëse për situatën

Shpërthimi në Mitrovicë, Vetëvendosje: <br />Qeveria përgjegjëse për situatën
PRISHTINE - Lëvizja Vetëvendosje është shprehur “e tronditur dhe e indinjuar thellë” në lidhje me shpërthimin në veri të Mitrovicës që i mori jetën një qytetari shqiptar dhe plagosi katër fëmijët e tij. Ajo e quajti atë një “sulm kriminal” të “përgatitur kaq me kujdes” që tregon se kemi të bëjmë me “një veprimtari të organizuar të strukturave kriminale të Beogradit kundër shqiptarëve në veri”.

Sipas Vetëvendosje, “shqiptarët në pjesën e veriut të Kosovës i janë nënshtruar një terrori të përditshëm nga mekanizmat e paligjshëm shtetërorë të Serbisë në Kosovë, duke filluar prej barrikadave e deri te vrasjet e planifikuara, si kjo e Selver Haradinajt”.

Fajin për këtë sulm, sipas saj, duhet ta mbajë vetë qeveria kosovare që ka toleruar një situatë të tillë. “Për këtë sulm të pafalshëm të kriminelëve të Beogradit, duhet të mbahet përgjegjëse edhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e tolerimit të strukturave të armatosura të Serbisë në Kosovë. Kjo politikë e mbrapshtë po e dërgon në Bruksel një Serbi e cila në Kosovë po vazhdon të prodhojë jetima shqiptarë. Strukturat e Serbisë në veri nuk janë aty vetëm për ta kontrolluar atë pjesë të vendit tonë por edhe për t'i vrarë e dëbuar shqiptarët prej andej”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosje.

AAK: VENDI OAZË E KRIMIT
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur indinjatën e saj të thellë për sulmin me eksploziv ndaj familjes Haradinaj në lagjen e Tre Rrokaqiejve, në veri të Mitrovicës. Duke e konsideruar këtë si një akt të rëndë kriminal, AAK ndan dhimbjen e saj të thellë me të afërmit e viktimës.

AAK fton institucionet kompetente që t’i përdorin të gjithë mekanizmat për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, për identifikimin dhe kapjen sa më të të shpejtë të kryesve të këtij akti barbar.

Sipas AAK-së, “akte të tilla kriminale janë të patolerueshme dhe po e rëndojnë përditë jetën e qytetarëve tanë në veri të vendit, duke e shndërruar veriun në oazë të krimit, mungesës së ligjit, rendit dhe të sigurisë”.

(im/rg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës