Ishte fundjava më e rëndësishme për Europën, por edhe për Shqipërinë. Mediat gjermane e quajtën “E diela e madhe”. Jo vetëm Franca dhe Greqia, por edhe shteti Schleswig-Holstein i Gjermanisë morën pjesë në atë që u konsiderua edhe si referendum për planin e shpëtimit Merkel–Sarkozi. Rezultatet i dhanë të drejtë frikës. Holond, kundërshtari i planit të rreptë të shpëtimit, do të jetë partneri i ri i Merkel, Greqia e ka pothuajse të pamundur të bëjë qeverinë, ndërsa në zgjedhjet rajonale partia e kancelares humbi pikë aq sa mund të humbasë dhe pushtetin në atë shtet. I padëshiruar deri të shtunën në darkë, 24 orë më pas, Holond mori menjëherë urimet dhe ftesat në dorë të parë nga Merkel, por edhe nga presidenti i SHBA, Obama.

Samaras në Greqi, nga i dyshuar si pengesë, reflekton besimin e perëndimit për një qeveri proeuropiane. Ndërsa Merkel, pasi i shkoi në prag dështimit në Gjermani, do të nisë “një muaj torturues”, sipas Der Shpigel, për të rikthyer boshtin franko-gjerman tek plani i rreptë i shpëtimit, që presidenti i ri i Francës e kundërshtoi në fushatë për të fi tuar zgjedhjet. Prandaj grekët sot qajnë dhe qeshin. Qajnë se votuan për një krizë të re, se aksionet greke në tregun ndërkombëtar fi lluan pikiatën pas rezultatit të zgjedhjeve, por qeshin se plani i shpëtimit mund të ndryshojë. Pavarësisht se Samaras kërkon aleatë për realizimin e planit që i dha vendit 130 miliardë euro, mediat greke e kanë pritur me gëzim fitoren e Holond. “Fituesi Holond, premton rritje për Jugun e Europës”, ishte titulli i njërës prej gazetave me të mëdha greke “Ta nea”. “Ai i ka thënë jo paktit fiskal”, ishte titulli i Kathimerini, një ndër gazetat më autoritative. Dhe ndërsa shohin me tmerr rrënimin e pandalshëm, grekët kanë nisur për herë të parë që nga fillimi i krizës, të shpresojnë tek e ardhmja e tyre në BE. E njëjta gjë edhe në Spanjë, Portugali dhe Irlandë, ku kundërshtarët e planit “Merkozi” ndihen të shpaguar.

Mediat, politikanët dhe ekspertët, në shumicën e tyre parashikojnë një ndryshim në planin e shpëtimit. “Holond do të forcojë shpresat për një Europë të bazuar në zhvillimin, jo në disiplinën fiskale”, parashikojnë ata që ishin skeptikë ndal planit të shpëtimit. Dhe nëse plani nuk dha rezultate deri në 6 maj, duket se fitorja e Holond do të jetë edhe një mundësi për të hequr dorë prej tij. Dhe shembujt janë akoma më në perëndim. SHBA dhe Anglia që në fillimet e krizës, zgjodhën stimulimin e ekonomisë në vend të rritjes së taksave. Kur Gordon Braun deklaronte se po merrej me shpëtimin e botës, opozita e Kamerun ironizonte, por faktet duket se i dhanë të drejtë kryeministrit të fundit laburist (rezultatet e zgjedhjeve lokale në Angli mund të konsiderohen edhe një kthim tek politikat e laburistëve).

Faza e parë e krizës nëpërmjet stimujve ekonomikë në favor të lehtësimit të bizneseve dhe krijimit të vendeve të punës, duket se dha efekte të menjëhershme në SHBA dhe Angli. Në fjalimin e famshëm të mbajtur në Kongres që e quajti “State of the Union”, presidenti Obama, premtoi lehtësira fiskale edhe për riatdhesimin e bizneseve dhe veçanërisht industrive që kanë emigruar në Kinë, Indi dhe Brazil, ndërsa në Europë vazhdon emigrimi masiv, veçanërisht në vendet e prekura nga kriza. Lehtësira dhe taksa për shumë të pasurit ka qenë strategjia e Obamës që riktheu më shumë se 4 milionë vende punë në më pak se 4 vjet.

Këtë strategji duket se ka zgjedhur Holond, i cili pritet të vizitojë SHBA me ftesën e Obamës. Një takim i G8 pas 10 ditësh mund të jetë mundësia e parë e ballafaqimit te liderit të ri me sfidat e reja dhe homologët e vjetër.

Por a do të pranojë Merkel ndryshimin e planit të shpëtimit në mesin e rrugës? Mediat gjermane kanë besim që peshorja do të anojë nga kancëlarja në ballafaqimin me presidentin. Në anën e Merkel janë kompanitë e vlerësimit dhe insitutionet financiare që po mbikqyrin vendet në krizë. Në këto kushte Holond mund të mjaftohej me pak ndryshime të planit, por jo me thelbin. Nëse nuk do të kishte me vete skepticizmin europian, të shprehur me votën e së dielës, por edhe kritikat e forta anglo-amerikane për planin që nuk po jep fryte, presidenti i ri ndoshta do të dorëzohej. Pas mbrëmjes së të dielës është e vështirë të parashikohet ç’do të ndodhë mes dy liderëve të boshtit europian. Për momentin dihet që Europa tani ngjan me shqiponjën në flamurin shqitar, një trup me 2 kokë, njëra sheh djathtas, tjetra majtas.