Lirohet nga burgu në Hagë ish-luftëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj! Apeli i Hagës ul dënimin në 22 vite burg për Salih Mustafën

Lirohet nga burgu në Hagë ish-luftëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj! Apeli i Hagës ul dënimin në 22 vite burg për Salih Mustafën

Nasim Haradinaj

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, është liruar nga burgu. Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Në vendim thuhet se pasi ka shqyrtuar tërësinë e informacionit që i është paraqitur, përfshirë Raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, të zbatohen kushtet në vijim:

-garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;

-të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;

-të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;

-Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të Haradinaj;

-të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;

– të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS;

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:40
I dënuar për krime lufte, Apeli i Hagës ul dënimin në 22 vite burg për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, vendimi i Apelit për Salih Mustafën, i dënuar me 26 vite burgim për krime lufte, u shpall sot më 14 dhjetor 2023. Atij i është ulur dënimi duke e dënuar me 22 vite burg nga trupi gjykues i Apelit në Gjykatën Speciale, 4 vjet më pak nga dënimi i shkallës së parë.

“Paneli i Apelit gjykon se një dënim i njësuar me 22 vite burg, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të z. Mustafa në këtë çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Apeli i ka rrëzuar pothuajse të gjitha kundërshtimet e Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë.

Kryetarja e trupit gjykues tha se Mustafa në disa prej pikave të apelit të tij “nuk arriti t’i mbështeste argumentet e tij me jurisprudencën përkatëse”.

Duke folur fillimisht për “mangësi” në apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë nga Mustafa, kryegjykatësja tha se “në raste të tjera paneli i Apelit disa argumente i ka rrëzuar pa e shqyrtuar thelbin e tyre”.

Trupi gjykues i Apelit disa prej kundërshtimeve të Salih Mustafës i hodhi poshtë me arsyetimin se ato “nuk i ka ngritur në gjykim”.

Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, në aktgjykimin e shkallës së parë të gjykatës më 16 dhjetor 2022.

Kjo është bërë e ditur përmes një vendimi të nxjerrë nga trupi gjykues i Apelit me në krye Michele Picard, më 27 nëntor 2023, për caktimin e datës së shpalljes së vendimit për çështjen gjyqësore ndaj Mustafës.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020.

Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020. Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021. Më 4 shkurt 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli paraqitjen e provave të veta. Mbrojtësja e Viktimave paraqiti provat e veta më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja mbylli paraqitjen e provave të veta.

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023. Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207 mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve.

Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja dorëzoi njoftimin për apel kundër Aktgjykimit. Në vijim, kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë nga gjykatësit Mishele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Seanca e apelit u mbajt më 26 dhe 27 tetor 2023.

S.S/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion