Zgjedhjet e pjesshme, të ngrira në Tiranë, e kanë zhvendosur vëmendjen politike në Vlorë, aty ku përballë kandidates socialiste Bruna Mersini, janë shfaqur dy të pavarur; Dionis Sota që mbështetet nga Partia Demokratike, por edhe Gjergj Nika, që ndonëse nga radhët e demokratëve, nuk e gëzon mbështetjen e tyre.
Pasi u paraqit në SPAK për aferën Partizani, Sali Berisha u ndal në seli, nga ku e sulmoi kandidaturën për 9 nëntorin të këshilltarit të opozitës në Bashkinë e Vlorës.
Berisha tha se ai s’ka asnjë lidhje me PD, pasi është këshilltar i propozuar nga ish-kryetari Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj. Në një konferencë nga selia blu, Berisha i tha gazetares së Report Tv, Danjela Maloku se PD do të mbështesë kandidatin e pavarur Dionis Sota.
“Ai s’ka asnjë lidhje me PD. Ai është këshilltar i propozuar nga ish-kryetari i partisë, Basha me Alibejn. Nuk e lidh asgjë me PD-në. PD do mbështesë kandidatin që ka deklaruar që do e mbështesë. Nuk ka asnjë lidhje”, tha Berisha.
Ndërsa kryedemokratit i është përgjiur Gjergji Nika përmes një postimi në Facebook, ku hedh akuza ndaj Berishës së ky i fundit nuk do një PD të fortë dhe të bashkuar, por një opozitë të nënshtruar.
Nika më tej shkruan se kreu i PD ka vendosur të mbështesë çdo kandidat që nuk kanë lidhje me PD, pasi sipas tij, humbja e PD-së i shërben vetëm një njeriu, Sali Berishës.
"T’i kthejmë shpinën këtij modeli të vjetër, të shkëputemi nga pengmarrja e Berishës dhe të ndërtojmë një opozitë të re, të sinqertë, të bashkuar dhe me vizion europian. Vetëm kështu PD mund të rikthehet si forca që shqiptarët dikur e besuan për të sjellë ndryshimin", shkruan Nika.
Kandidatët nuk janë i vetmi hall i Berishës në Vlorë. Së fundmi atij nga rreshti i ka dalë edhe drejtuesi politik Bujar Leskaj, që disa vendime rresht politike të PD i ka injoruar. Kur pyetet mbi pjesëmarrjen e Leskajt në protestën e UÇK-së, Berisha shmang përgjigjen dhe fajin e vendos te Rama.
Sali Berisha ka komentuar lajmet që kanë qarkulluar mbi aeroportin e Vlorës dhe përplasjen e Behgjet Pacollit me ortakun e 2A Group, Valon Ademi. Në konferencën për mediat, Berisha tha se tani që aeroportit po i afrohet fundi, janë prishur pazaret.
Madje, Berisha pretendon se inxhinieri supervizues i pistës është arratisur në Britaninë e Madhe. Sipas tij, asfalti dhe pista janë jashtë çdo lloj standardi.
“Tani që aeroporti po i afrohet fundit, janë prishur pazaret. Tani, si do i ndajmë? Dhe tani ka shpërthyer aty një grindje e brendshme. Po mua nuk më intereson grindja e brendshme, kategorikisht. Po më intereson një gjë tjetër shumë që është jashtëzakonisht e rëndë. Inxhinieri supervizues i pistës ia ka mbathur, është arratisur në Britaninë e Madhe. Dhe burime serioze më thonë mua që asfalti dhe pista janë jashtë të gjitha standardeve, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndaj dhe supervizori është arratisur në Londër. Njeriu që ka përgjegjësi për çdo centimetër katrorë të cilësisë në atë pistë”, tha Berisha.
Komente













Dhe ti dhe familja jote i di mire prishjet e pazareve o berishe.keni shume eksperience ne kshi lloj punesh
Përgjigju