Shpella e Gadimes,
unikale në llojin e vet

Shpella e Gadimes,<br />unikale në llojin e vet
Për të shkuar në shpellën e famshme të Gadimes na duhet të udhëtojmë rreth një orë, duke u nisur nga Prishtina. Kisha lexuar për vlerat unikale të kësaj shpelle, për stalaktitet dhe stalakmitet e saj në forma nga më të çuditshmet, prandaj dhe nuk mund të largohesha nga Kosova pa e vizituar.


Dhjetra vizitorë të moshave të ndryshme nga Kosova e jashtë saj, prisnin për të hyrë atje, ndërkohë që mjaft të tjerë dilnin prej saj. Për të na respektuar më tepër, ciceroni i këtij objekti na u lut të prisnim pak minuta, aq sa duheshin për t’u vënë plotësisht në dispozicionin tonë. Jam me disa miq nga Vlora, që kemi ardhur në Prishtinë për një aktivitet shkencor. Premë biletat dhe u ulëm për të pirë një freskuese në një nga lokalet, që ndodheshin në një shesh të vogël. Banorët e kanë shfrytëzuar mundësinë që u jep ky objekt me vlera të rralla për të ngritur një biznes.

shpelle

Një mik imi nga Prishtina më thotë se, Shpella e Gadimes ka vlera të rralla. Ai tregon se, serbët këtu kishin instaluar një sistem shumë të lartë sigurie, për ta mbrojtur këtë objekt nga rreziqet e dëmtimit dhe të grabitjes. “Me siguri, ata nuk e shkonin ndërmend se do të largoheshin ndonjëherë nga Kosova, sepse padyshim do ta shkatërronin këtë objekt të rrallë, vepër e natyrës në miliona vite”, thotë bashkëbiseduesi. E, ndërkohë që ne zhvillonim këtë bisedë, nga brendësia e shpellës dolën edhe vizitorët e fundit, disa dhjetra nxënës shkolle. Në fakt, çdo ditë Shpella e Gadimes vizitohet nga qindra persona, nga Kosova dhe jashtë saj.

Drejtohemi për nga hyrja, jo pa emocion. Tregimi i dikurshëm i pedagogut tim të Universitetit, Efthim Dodona, për unikalitetin e kësaj shpelle, tashmë më vjen edhe më i freskët në kujtesë. Në vitet ’70-të, ai u përfshi në atë grup pedagogësh shqiptarë, që jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës dhe e kishte vizituar këtë mjedis milionavjecar. Për të depërtuar në brendësi të shpellës, duhet të kalojmë përmes një porte metalike dhe një hyrjeje të ngushtë. Ciceroni na paralajmëron për të qenë të kujdesshëm. “Në shpellë është instaluar ndriçimi, por mund të ndodhë që, energjia të ndërpritet. Prandaj, mos u shkëpusni nga njeri tjetri”. Këtë paralajmërim ai do të na e bënte herë pas here. Hapësira e brendshme e shpellës ishte e përbërë nga labirinthe, ku edhe në kushtet e një ndriçimi të pranueshëm, ishte e vështirë të orientoheshe.

shpelle

Jo vetëm që ekzistonte rreziku se mund të humbisje në një nga kthinat, apo guvat e shumta të saj, por edhe mund të të ndodhte ndonjë gjë e pakëndshme. Brenda shpellës kishte mjaft zona të paeksploruara. Në pika të ndryshme, kishte liqene në miniaturë, si edhe pellgje, ku thellësia mund të shkonte deri në 50 metra. Prandaj dhe kujdesi nuk duhet të mungojë. Diku mund të të rrëshkiste këmba dhe nuk dihej se ç’mund të ndodhte më tej. Banorët e vetëm të kësaj hapësire, ishin lakuriqët e natës, por ata ishin zhdukur nga prania e dritës dhe e njerëzve.

Bashkë me ciceronin ishin edhe disa punonjëse të tjera, të cilat na orientonin herë pas here në atë labirinth të mrekullueshëm. Gjithçka brenda saj ishte befasuese. Mrekullia shtohej nga njera hapësirë në tjetrën. E, ndërsa shprehim admirimin për gjithçka shohim, ciceroni thotë se,  arti i natyrës do të na rezervojë surpriza deri në fund. Stalakmite e stalaktite të llojeve e formave nga më të ndryshme, që tentojnë drejt njera tjetrës nga tavani e dyshemeja, në një udhëtim milionavjeçar, që ende nuk ka marrë fund. Mermeri i trajtësuar në ato forma të çuditshme, që vetëm natyra mund t’i krijojë. Konfiguracionet e stalaktiteve në tavanin e shpellës, janë të shumëllojta, ashtu sikundër edhe ato të stalakmiteve në dysheme. Madje, në perceptim të konfiguracionit të tyre, specialistët apo vizitorët, kishin pagëzuar këto forma me emërtime të ndryshme. Një prej tyre, quhej “mjekra e Skënderbeut”, një tjetër, “gjiri i lopës”. Ngjashmëria me këto emërtime, është pothuajse perfekte. Diku, në një kënd të veçantë, qëndrojnë “Romeo e Zhulieta”.

Një stalaktit e një stalakmit, që drejtohen tek njeri tjetri, nën një këmbëngulje që është mjaft e dukshme. Ata janë larg mes tyre, vetëm një milimetër. Por, për t’u bashkuar, duhet të udhëtojnë edhe 30 mijë vjet të tjera. Kaq e kanë llogaritur specialistët. Çdo milimetër nga këto krijesa të jashtëzakonshme të natyrës, krijohet në 30 mijë vjet.
Shpella e Gadimës ka një moshë 80 milionë vjeçare dhe është ndër më të vjetra në botë. U zbulua krejt rastësisht, në vitin 1969, nga një banor i zonës. Teksa po kërkonte ushqim për lopët, ai befas shkeli mbi një të çarë të shkëmbit… Dhe…kështu nisi historia…Sot, në kujtim të tij, një kënd i shpellës ka marrë emrin e zbuluesit të parë të saj.
Kjo vepër e rrallë e natyrës u bë e vizitueshme në vitin 1974.

Prej atëhere, këtu kanë ardhur miliona vizitorë, nga të gjitha anët e botës. Diku, në një kënd të veçantë, stalakmitet kanë krijuar një formë që, shoqëruesi thotë se, është ajo e kufijve të Kosovës, apo më tej ajo e Shqipërisë. Diku tjetër, në një kënd disi të fshehur në tavan, është një hapësirë që, ciceroni thotë se, të çon në katin e dytë.  Por,  askush nuk është futur aty deri tani. Kjo do të bëhet në të ardhmen. Ka disa projekte, që synojnë eksplorimin e mëtejshëm të shpellës dhe zgjerimin e mjediseve të saj. Surpriza të tjera pritet të ofrojë në të ardhmen, ky objekt i rrallë natyror. Drejtohemi për nga dalja e shpellës. I ftohti, u zëvendësua dalëngadalë me ngrohtësinë që na priste përjashta. 
 
Marrë nga ATSH

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri