Një 41-vjeçar dhe një 37-vjeçare janë arrestuar nga policia e kryeqytetit pasi janë kapur në flagrancë me lëndë narkotike të disa llojeve.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative policia ka ndaluar në zonën e 'Komunës së Parisit' mjetin e drejtuar nga 41-vjeçari Julian Qepa, që kishte si pasagjere 37-vjeçaren Arnela Saliu. Nga kontrollet e ushtruara në makinë, por edhe në banesë, janë gjetur dhe sekuestruar droga të llojeve të ndryshme si cannabis sativa, kokainë, metamfetamine dhe MDMA, peshore elektronike, fishekë luftarakë, disa aparate celularë dhe një sasi të hollash.
Dyshohet se personat në fjalë ushtronin aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm në zonën e “Lulishtes 1 Maji” dhe në rrugën “Komuna e Parisit”.
Të dy personat janë banues në Kombinat, ndërsa nga hetimet rezulton se Julian Qepa nuk është një person i panjohur për policinë, pasi ai është i dënuar më parë. Tani për 41-vjeçarin do të rëndojnë akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, ndërsa për 37-vjeçaren akuza “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.