Umbria- Shpërndante kokainë nëpër qytet me makinë dhe i armatosur, arrestohet në flagrancë dhe dënohet me një proces të shpejtë 33-vjeçari shqiptar.
Operacioni u krye nga Njësia Operacionale e Castello (Umbria), në zonën e qendrës historike të qytetit, teksa pikasën lëvizjet e dyshimta të të riut, emri i të cilit nuk u publikua në media.
Gjatë kontrollit, karabinierët gjetën fillimisht në xhepat e pantallonave të të dyshuarit 15 gramë kokainë të ndarë në doza. Më tej, një thikë u gjet në dorezën e makinës. Nga kontrollet në brendësi të automjetit është bërë e mundur edhe gjetja e një shume prej 1400 eurosh cash, të fshehura poshtë tapicerisë së mjetit, që mendohet se janë të ardhura nga aktiviteti i trafikut të drogës.
Më pas hetimet janë shtrirë në banesën e të riut, ku u krye kontrolli. Në shtëpi u gjet një çelës i dytë dhe një armë lodër. 33-vjeçari u arrestua për akuzat e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes, teksa pas seancës së verifikimit u dënua me 1 vit e 2 muaj burg ditën e sotme (20 Gusht). Droga, paratë, thika dhe arma lodër janë sekuestruar nga autoritetet.