Një person i dyshuar për pedofili dhe që mbante në kompjuterin e tij, materiale pornografike, si foto dhe video me të mitur, të moshës nga 4- 14 vjeç u arrestua nga Zyra e hetimit të Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës, pas një hetimi disa mujor. Enkel Vela, 31 vjeç specialist IT-je, në një bankë të nivelit të dytë bë vend, u ndalua pas disa hetimeve me metoda speciale të kryera nga prokuroria dhe policia.
 
Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit, ndërsa kthehej nga Athina ku ishte dërguar nga banka ku punonte për një trajnim dy javor për çështjet e programimit të bankave. Velaj, dyshohet se nga viti 2007, ka shkarkuar dhe mbajtur në kompjuterin e tij desktop, materiale pornografike me përmbajte si foto dhe video me fëmijë të mitur nga 4- 14 vjeç. Sipas burimeve të policisë videot janë shkarkuar nga rrjete pronografie, nëpërmjet programeve të posaçme.
 
Materialet në ngarkim të inxhinierit të teknologjisë, kanë mbërritur nga gjermania nëpërmjet zyrës së Interpolit. Pas mbërritjes së Velajt nga Greqia, policia ka kontrolluar kompjuterin e tij dhe ka gjetur në të dy hardisqe dhe një usb flash. Nga këqyrja paraprake e tyre është vënë re se në to kishte një përmbajtje materialesh prej rreth 392 gigash, si foto video dhe përmbajtje të tjera të ndaluara për t’u mbajtur.
 
Hetuesit kanë dërguar në laboratorin e policisë shkencore hardiskun për të ekzaminuar nëse nëpërmjet tij janë kryer shpërndarje të materialeve të tilla. Ende nuk dihet se cila është origjina e materialeve, por policia dyshon se ato janë nga jashtë, ndërsa po verifikohet nëse ky person ka pasur aktivitet pornografie me të mitur, apo aktivitete pedofilie me të mitur edhe në Shqipëri.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)