Menjehërë pas kësaj situate, Inspektoriati i Mjedisit pezulloi aktivitetin e komanisë “Bankers” në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, deri në marrjen e masave për trajtimin e mbetjeve.
Shpërthimet e fuqishme nisën prej orës 05:00 të mëngjësit të sotëm në fshatin Marinzë. Disa puse nafte shpërthyen njëri pas tjetrit duke detyryar banorët të “rrëmbejnë” fëmijët dhe orenditë e të largohen nga shtëpitë. Mësimi është ndërprerë në disa shkolla dhe rreth 60 familje janë evakuuar.
Ministri Damian Gjiknuari mbërriti në fshat për të monitoruar nga afër situatën ku mbajti një qëndrim të ashpër ndaj kompanisë Bankers e cila sipas tij duhet të japë llogari që ka vënë në rrezik banorët. Specialistët e Bankers Petroleum thanë se aksidenti ka ndodhur për shkak të një rrjedhje natyrore e gazit gjatë punës për shpimin e pusit.
Nuk është hera e parë që kompania “Bankers Petroleum” shkakton shpërthime me pasoja të tilla në këtë fshat. Banorët kanë shprehur edhe parmes mikrofonit të A1 Report shqetësimin për dëmet e shkaktuara në banesat e tyre si pasojë e shpërthimeve, që sipas tyre shkaktohen qëllimisht nga kompania naftënxjerrëse
Ora 13:20 FA dërgojnë specialistë në Patos-Marinëz
Ministria e Mbrojtjes dhe ShtabiiI Përgjithshëm i FA-së kanë nisur 10 specialistë për të monitoruar situatën e krijuar në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone. Nga këto 8 janë specialist kimie dhe dy janë specialist të Laboratorit të Forcave të Armatosura.
Ora 12:50 Inspektorati i Mjedisit pezullon aktivitetit të Bankers Petroleum
Derisa shkaqet e shpërthimeve në puset e naftës në fshatin Marinzë të sqarohen, Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit të kompanisë “Bankers Petroleum”.
“Pezullimi i aktivitetit të plotë deri në plotësimin e gjithë masave në trajtimin e mbetjeve dhe të mos lejohet hedhja e tyre ne gropa ekologjike. Nuk do të lejohet rifillimi i aktivitetit deri në plotësimin e këtyre kërkesave”, thuhet në njoftimin zyrtar të Inspektoratit të Mjedisit.
Deklarata e kreut të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve Ergys Agasi
"Duke marrë shkas nga aksidenti i sotëm i katër shpërthimeve të gazit në zonën Patos -Marinzë, të qarkut të Fierit, Inspektoriati Shtetëtor i Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP) sqaron se shkaqet teknike të këtij incidenti janë akoma të paqarta dhe do të zbardhen shumë shpejt. Megjithatë, arsyet e shpërthimit mund të jenë të lidhura me konstatimet e bëra nga ISHMP gjatë javëve të kaluara, masat administrative të marra ndaj kompanisë Bankers dhe rekomandimet e pazbatuara nga kjo kompani, të bera nga ana e ISHMP-së.
Në datën 24.09.2014 grupi i punës i ngritur nga Ministri i Mjedisit, filloi inspektimin në aktivitetet e kompanisë Bankers Petrolium ku një nga çështjet kryesore për ndotjen në mjedis është situata e gropave ekologjike, në të cilat janë depozituar mbetjet e dala nga procesi i shpimit dhe i prodhimit të naftës bruto, të cilat përbëjnë mbetje të rrezikshme. Me Urdhër të Ministrit të Mjedisit, z. Lefter Koka i është kërkuar kompanisë Bankers Petroleum Albania, me qëllim parandalimin e aksidenteve të mundshme dhe ndotjes potenciale të mjedisit, që kjo kompani të zbatojë këto masa dhe detyra.
Pezullimi i aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve.
Hartimi i Planit të Përputhshmërisë sipas përcaktimeve të shtojcës 10 të ligjit nr. 10448 datë 14.07.2011 për lejet në mjedis, e ndryshuar.
Rivlerësimin e raporteve të ndikimit në mjedis dhe rishikimin e kushteve të lejeve Mjedisore.
Hartimi i një plani monitorimi të detajuar si pjesë e Lejes Mjedisore dhe instrumentave të inspektimit mjedisor.
Kompania në përputhje me planin e menaxhimit duhet të fillojë hartimin e planit të masave për trajtimin e mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti, të depozituara në gropat ekologjike.
Menaxhimi i mbetjeve të të gjitha llojeve duhet të bëhet në përputhje me kuadrin e ri ligjor të mbetjeve.
Heqja e masës së pezullimit të aktivitetit të kompanisë do të bëhet pas vlerësimit të realizimit të masave dhe detyrave të lëna për zbatim.
Se fundmi ju informoj qe ISHMP ka vënë të gjithe kapacitetin e vet njerëzor për të asistuar në terren. Gjithashtu një laborator i lëvizshëm është dërguar menjëherë në terren për të kryer matjen e nivelit të ndotjes".
Ora 12:25 Gjiknuri takim urgjent për situatën në Marinzë
Ministri Damian Gjinkuri ka mbledhur në një takim urgjent administratorin e Albetroli Endri Puka, Prefektin e Fierit, përfaqësues të “Bankers Petroleum” dhe deputetë të zonës në lidhje me shpërthimet në puset e naftës nga Bankers. Në këtë takim po diskutohet për masat që do të merren në lidhje me situatën në fshatën Marinzë.
Ora 11:30 Gjiknuri: Do t’i kërkojmë llogari “Bankers” për shpërthimet
Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri nga fshati Marinzë tha se tashmë situata është nën kontroll, por shprehu qëndrim të ashpër ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” ndaj së cilës tha se do të kërkohet llogari për shpërthimet që rrezikuan banorët. Ministri i cili mbërriti në këtë fshat të Fierit për të parë nga afër situatën, u interesua në lidhje me shqetësimet e banorëve, të cilat kanë qenë të vazhdueshme sa i përket dëmëve në banesat e tyre të shkaktuara nga shpërthimet e Bankers.
Ora 11:00 Xhevit Bushi: Situata drejt normalizimit, gazi nuk eshte helmues
Prefekti i Fier Xhevit Bushi në një lidhje telefonike për A1 Report tha se situata po vjen drejt normalizimit, ku po merren masa nga ana e kompanisë “Bankers Petroleum” për të vënë nën kontroll shpërthimin. Ai theksoi se gazi nuk është helmues pasi nuk është çliruar nga hidrokarbureve. Ai tha se është bërë një mbledhje me Shtabin dhe me kompaninë Bankes Petroleum për të mësuar shkaqet e shpërthimeve. Sipas kompanisë kanadeze gjitha ndodhi pas një avarie teknike.
“Do diskutojmë me ministrin për shkaqet e ngjarjes. Bëmë mbledhje me Shtabin dhe me Bankers ku shpjeguan shkaqet teknike. Brenda 5-6 orësh ata flasin për një normalizim total të situatës. Po bëhen analizat e nëntokës dhe ambientit për të përcaktuar nivelin e ndotjes, nëse është helm apo jo. Situata është drejt normalizimit me masat teknike që janë marrë por akoma ka gurgullime nga toka, se dhe fenomeni nuk është i ditur, ka ndodhur një shpim në një pus, ka filluar gurgullimi i daljes në sipërfaqe të inerteve, llava balte, e cila vjen për shkak të shpërthimit që ka ndodhur rreth 1400 metra thellësi që ishte duke u shpuar pusi. Janë duke u marrë masat teknike”, tha ai.
Sipas tij, deri më tani janë evakuuar 60 familje të cilat ndodhen pranë puseve të naftës, por foli edhe për raste të rezistencës së banorëve për të lënë shtëpitë e tyre. Bushi tha se patrullat e policisë janë në terren për të shmangur grabitjet në banesa, një fenomen ky që shfrytëzohet nga keqbërësit sa herë që ka fatkeqësi natyrore apo si në rastin konkret të shkaktuara nga Bankers.
“Prefektura, komisariati i Policisë, FNSH dhe pushteti vendor janë duke marrë masat që rreth 500 metra larg grykës së pusit të evakuohen banorët. I janë caktuar edhe vendet ku evakuohen. Kemi evakuuar 60 familje. Kemi kundërshtime në drejtim të evakuimit, duhet të shpëtojmë jetën e njerëzve, kemi vendosur patrullat e policisë që të mos ketë fenomene të tilla për grabitje”, u shpreh prefekti i qytetit të Fierit për A1 Report.
FOTO/ Banoret "braktisin" shtepite
Ajo që ndodhi në Marinzë të Fierit mëngjesin e sotëm ku dy puse nafte të kompanisë kanadeze “Bankers Petroleum” kanë shpërthyer, është një ngjarje e cila tronditi të gjithë banorët e zonës. Banorët të frikësuar janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Në fotot e bëra nga A1 Report, shikohen nëna të cilat largohen të traumatizuara me fëmijët e tyre në krahë. “Ku të shkojmë ne tani”, thërrasin ato pasi shpërthimi i puseve u ka shkatërruar shtëpitë e gjithçka ajo ka brenda. Të tjerë familjarë shikohen të kenë marrë plaçkat më me vlerë të shtëpisë duke u larguar me shpejtësi nga aty. Shqetësimin se këto shpërthime do të ndodhnin, banorët i kishin shprehur edhe më parë, por askush nuk i kishte dëgjuar.
Kompania “Bankers Petroleum” më herët kishte marrë urdhrin për pezullimin e aktivitetit, por ajo e vazhdonte aktivitetin e saj rregullisht pa u shqetësuar nga askush.
Banorët janë shprehur se shpërthimet që kjo kompani i bënte shpesh herë qëllimisht i kanë dëmtuar shtëpitë e tyre edhe herë të tjera.
Ora 10:50 Tjetër shpërthim i pusit të naftës në fshatin Marinzë
Ora 10:05 Shpërthimet, Gjiknuri në Marinzë
Kjo situatë bëri që ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri të shkojë në fshatin Marinzë për të parë nga afër gjendjen e shkaktuar nga kompania “Bankers Petroleum”. Më shqetësues është fakti se pusi është ende aktiv dhe punonjësit e kompanisë ‘Bankers Petroleum’ po mundohen të vendosin situatën nën kontroll.
Ora 09:35 Njoftimi i Bankers mbi Rrjedhjen e Pakontrolluar të Gazit
Sot në mëngjes në ora 6.00, kompania Bankers Petroleum Albania Ltd aktivizoi planin e ndërhyrjes për emergjencat në përgjigje të një rrjedhjeje të pakontrolluar gazi natyror në një pus kur po kryheshin operacione shpimi. Nuk raportohen të lënduar.
Gazi që ka rrjedhur është gaz i ëmbël dhe i padëmshëm megjithatë stafi operacional dhe i sigurisë i Bankers në bashkëpunim me qeverinë lokale, Albpetrol dhe policinë e shtetit ka marrë të gjitha masat paraprake duke përfshirë edhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e prekur.
Operacionet po vazhdojnë për ta ndalur pusin, për të kthyer banorët në shtëpitë e tyre dhe më pas për të filluar operacionet për pastrimin e zonës e prekur.
Ora 09:20 Prefekti: Situata alarmante për shkak të ndotjes
Ndërkohë me herë në një lidhje telefonike për A1Report prefekti i Qarkut të Fierit, Xhevit Bushi u shpreh se po merren masa për të evakuuar banorët nga FNSH dhe se është ulur shkalla e rrezikshmërisë në zonën e shpërthimit, por situata mbetet alarmante për shkak të shkallës së ndotjes.