FUSHE KRUJE - Një shpërthim tritoli ka ndodhur në lagjen "Punëtori" të Fushë-Krujës. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme. 

Lënda plasëse i është vendosur garazhit në pronësi të 58-vjeçarit, Ramazan Çenia, banor i qytetit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Çenia është polic në burgun e Zaharisë. Më herët i kanë vënë tritol edhe makinës së djalit të 58-vjeçarit Çenia. Nga shpërthimi është dëmtuar një mjet tip "Benz" që ndodhej i parkuar në garazh dhe muret e pallatit.

Ndërsa shpërthimi i dytë ndodhi në një distancë të afërt kohore në një mobileri në fshatin Nikël të Fushë Krujës. Mobileria në Nikël është në pronësi të Enver Canit, 45-vjeç. Në zonë, Cani njihet si njeri pa probleme e konflikte.

Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Të arrestuarit janë: D.Xh. dhe B.K. Këtij të fundit, gjatë kontrolleve në banesë i është gjetur një sasi kanabis.

Për të dyja ngjarjet policia ende nuk e ka bërë të mundur zbardhjen e shkaqeve të vënies së tritolit.

 

NJOFTIMI I POLICISË:

Krujë

Policia e Krujës zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Nikel ku shpërtheu një sasi lënde eksplozive.

Në lidhje me ngjarjen vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.

Njërit prej autorëve të dyshuar i është gjetur në banesë dhe sekuestruar Cannabis Sativa. Janë vënë në pranga dy shtetas të dyshuar për kryerjen e veprave penale "Shkatërrimi i pronës me eksploziv " dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit "parashikuar në nenet 152 dhe 278 të Kodit Penal, konkretisht:

• Është ndaluar me iniciativë shtetasi D.Xh. si autor i dyshuar;

• Është arrestuar në flagrancë shtetasi B.K. 

Shtetasit B.K. gjatë kontrollit të ushtruar në banesë i' u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.