Një shpërthim i fortë tronditi Romën mëngjesin e së dielës, duke shembur 3 ndërtesa 2-katëshe dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në zonën e Piana del Sole.  2 persona mbetën të plagosur rëndë.

Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, Michele dhe Chiara De Bari, 84 dhe 86 vjeç, të cilët u transportuan në spitalin Sant’Eugenio. Ata kanë pësuar djegie në rreth 20% të trupit, por nuk janë në rrezik për jetën.

Fillimisht u raportua për persona nën rrënoja . Dy persona që mbetën të bllokuar paradite janë nxjerrë shëndosh e mirë dhe pa pasoja të rënda.

Shpërthimi ka qenë jashtëzakonisht i fuqishëm. Mbetjet inerte janë shpërndarë deri në 200 metra larg, ndërsa janë dëmtuar edhe ndërtesa dhe automjete në zonën përreth.

Dëshmitarët tregojnë se dritaret e banesave janë thyer nga forca e shpërthimit. Si pasojë, 29 banorë janë evakuuar, ndërsa disa ndërtesa janë shpallur të pabanueshme.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga dy bombola gazi GPL të vendosura në oborr, që furnizonin banesën ku ndodhi shpërthimi.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta zjarrfikësish dhe policie, ndërsa autoritetet po punojnë për strehimin e familjeve të evakuuara dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.