Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm (03:30) në Laç.

Lënda plasëse ishte vendosur në derën e një biznesi që operonte si pikë MoneyGram dhe postë private.

Pronari Gjon Lufi që operon prej vitesh në këtë fushë biznesi me disa pika në Lezhë dhe Kurbin, tha gjatë marrjes në pyetje nga policia se nuk ka konflikte.

Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rreth orës 03:30, në qytetin e Laçit, në portën e jashtme të një dyqani në pronësi të shtetasit Gj. L., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia.