Një shpërthim me lëndë plasëse raportohet të ketë ndodhur në orët e para të ditës së sotme në oborrin e shtëpisë së Administratorit te Njësisë Administrative Qesarat Butjan Kapa në fshatin Toç në Memaliaj. Butjan Kapaj është gjithashtu anëtar kryesie në Partinë Demokratike.
Nga pamjet filmike ka rezultuar se kanë qenë dy autorë, të cilët kanë zbritur nga një automjet tip “Range Rover”. Policia në njoftimin zyrtar bëri me dije se ata janë larguar nga aksi rrugor “Krahës-Memaliaj” ndërsa në afërsi të fshatit Qesarat kanë djegur automjetin që kanë përdorur dhe më pas janë arratisur në këmbë.
Kapa përjashton mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me punën e tij si drejtues njësie administrative apo me përfshirjen e tij në politikë duke thënë se nuk ka konflikte të hapura me askënd. Nga shpërthimi ka pasur vetëm materiale në disa prej dritareve. Butjan Kapa në dëshminë e dhënë për policinë, ka thënë se pak përpara shpërthimit, qeni po lehte shumë dhe se vetë ai ishte nisur për të dalë jashtë për të parë se çfarë po ndodhte, por gruaja e kishte ndaluar.
Sakaq, kontrollet në zonë po vijojnë me qëllim kapjen e autorëve si dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Memaliaj / Informacion paraprak
Më datë 06.04.2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, në fshatin Toç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Autori/autorët, gjatë largimit, në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj", në afërsi të fshatit Qesarat, dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet hetimore për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komente










