SHKODËR- Një shpërthim me tritol ka ndodhur orët e para të mëngjesit në Shkodër, ku një 62-vjeçarje i është vendosur lënda plasëse në derën e banesës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Tom Kola", rreth orës 03:40 të 25 marsit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se autori ka qenë i maskuar dhe me motor. Ai ka hedhur lëndën plasëse në portën e banesës së 62-vjeçares Frida Sala dhe më pas është larguar.
Si pasojë e shpërthimit, fatmirësisht ka vetëm dëme materiale, ndërsa ende nuk dihen arsyet që mund të kenë çuar në vendosjen e tritolit. Report Tv sjell pamje nga vendi i ngjarjes, ndërsa dallohen dëmet në portë, si edhe në një makinë të parkuar aty pranë. Ndërkohë, banesa është e pajisur me dy kamera sigurie, të cilat kanë filmuar edhe momentin kur autori me motor ka hedhur lëndën plasëse dhe është larguar.
“Rreth orës 03:40, në lagjen "Tom Kola", Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetases Frida Sala, 62 vjeçe, është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, njofton policia.
Në dëshminë e saj në polici, 62-vjeçarja e cila punon në Doganën e Hanit të Hotit, ka deklaruar se nuk ka konflikt me askënd. Ajo thotë se ishte zgjuar herët në mëngjes për të ngrënë syfyr për muajin e Ramazanit, bashkë me djalin e saj, kur kanë dëgjuar shpërthimin.
"Jemi zgjuar me djalin në mëngjes për të ngrënë syfyrin për muajin e ramazanit. Kemi dëgjuar shpërthimin së bashku me djalin, dhe menjëherë kemi njoftuar policinë. Nuk kemi konflikt me askënd. Nuk di arsyen pse mund ta kenë bërë", ka deklaruar ajo.
Policia ka marrë në pyetje edhe djalin e 62-vjeçares, Dori Sala, i cili po ashtu ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk e di se kush mund të jenë autorët. Ky i fundit punon në një kompani interneti dhe nuk njihet si një person problematik. Vëllai tjetër ndodhet në Itali dhe punon si shofer kamioni.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e saj, si edhe identifikimin dhe kapjen e autorit.