FIER - Vazhdojnë protestat e banorëve të komunës së Zharrësit në Fier, kundër shpërthimeve të kompanisë Banker Petroleum. Rreth orës 12:00 kanë kërcënuar me grevë urie nëse nuk zgjidhen problemet e tyre me kompaninë Bankes Petroleum.

ORA 13:00 24 BANORE E KESHILLTARE KOMUNALE HYJNE NE GREVE URIE
Ka nisur greva e urisë së banorëve të Zharrësit. Mësohet 24 persona kanë hyrë në grevën e urisë për shkak të lëkundjeve të tokës. Grevistët kanë deklaruar për gazetarin e A1 Report dhe Shqiptarja.com, Kristaq Thano se, ata nuk do të dalin nga aty deri në plotësimin e kërkesave që kanë bërë ata.

Greva ka nisur në ambientet e një lokali në fshatin Zharrëz. Në grevë bashkë me banorët janë edhe 11 këshilltarë të komunës së Zharrësit, që ka nisur të quhet edhe komuna e “tërmeteve”.

ORA 12:00 BANORET PARALAJMEROJNE GREVE URIE
Greva e tyre mbështetet edhe nga këshilli i këshilltarëve i Komunës së Zharrzës.

Rreth orës 10: të mëngjesit, qindra banorë të kësaj zone kanë dalë sot në ditën e tretë të protestave.

Ata kanë bllokuar sërish sot rrugën nacionale që lidh Fierin me Beratin.

Banorët kërkojnë që firma Bankers Petroleum të ndalojë shpërthimet pasi po u shkatëron banesat.

PROTESTAT E DJESHME, BLLOKOHET RRUGA FIER-BERAT
Që nga mbrëmja e datës 4 dhjetor 2013 më shumë se 200 banorë kanë protestuar për shpërthimet që shkaktojnë tërmete.
 
Banorët gjatë paradites së sotme kanë bllokuar rrugën nacionale Fier-Berat, në shenjë proteste në lidhje me këtë ngjarje.

Ata kanë djegur goma makinash duke bllokuar totalisht rrugën nacionale.

Ndërkaq, që banorëve të Zharrëzit, gjatë mëngjesit të sotëm u janë bashkuar edhe ata të Marinzës dhe Roskovecit.



protesta ne zharrez
(Foto: Protesta sot(05.12.2013) në Zharrëz të Fierit) Foto të tjera
 
MBREME, PROTESTA TEK ZYRAT E BANKERS
Gjatë mbrëmjes së djeshme, mbi 600 banorë të zonës naftë-mbajtëse të komunës së Zharzës kanë protestuar pas një shpërthimi të fuqishëm që ka ndodhur në këtë zonë rreth orës 18:40 minuta.

Gjatë protestës ka pasur një shtim të forcave të policisë si dhe ato të FNSH-së.

protesta ne zharrez
(Foto: Protesta dje(04.12.2013) në Zharrëz të Fierit)
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)