Shpërthimi dhe tërbimi i Presidentit Ilir Meta në zyrat e Frymës së Re Demokratike ka bërë jehonë edhe në mediat greke. Portali “In.gr” shkruan mbi përplasjen e kreut të shtetit shqiptar duke e cilësuar si një skenë të pabesueshme, ndërsa thekson se Meta i është drejtuar policisë 'unë do të të vras'. Media greke ka postuar videon e Report Tv, që ishte media e parë shqiptare që ndoqi nga afër të gjithë skandalin dhe përplasjen e ndodhur te zyrat e FRD.  

Media greke shkruan se "Një shpërthim i paparë u bë nga presidenti shqiptar Ilir Meta, dhe para kamerave televizive, duke nisur kërcënime ndaj oficerëve të policisë, duke u thënë atyre "Unë do të të vras" .Arsyeja e shpërthimit të Metës ishte se policia, duke ekzekutuar një vendim të bashkisë së Tiranës, shkoi për të dëbuar në zyrat që i ishin dhënë që nga viti 2016 partisë së vogël të krahut të djathtë "FRD". Videoja tregon presidentin shqiptar që hyn në zyra me inat dhe truprojat e tij shtyjnë larg përfaqësuesin e bashkisë dhe njerëzit me uniformë që e shoqëronin. Meta fajësoi vetë Kryeministrin shqiptar Edi Rama për vendimin për ta përjashtuar, duke thënë se ai donte të ndante frontin e opozitës kundër tij në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit. Përveç ofendimeve, Meta dëgjohet duke i thënë përfaqësuesit të bashkisë: “Dilni se do ju çoj në burg me duart e mia. Jashtë, jashtë, bojë për vetulla… ".

Portali grek thekson dhe faktin se Ilir Meta i ka lënë trashëgimi gruas së tij partinë që themeloi vite më parë.  

Si ndodhi ngjarja? Presidenti Ilir Meta u shfaq në zyrat e FRD-së, në kohën kur policia bashkiake po i kërkonte kryetarit të FRD Sali Shehu që të lironte zyrat pasi nuk kishin më të drejtë ligjore për t'i mbajtur ato pasi nuk kishte përfaqësues në Kuvend dhe s’i takonte me ligj selia. Në mbrojtje të tij u shfaq presidenti Ilir Meta, i cili nuk kurseu ofendimet, kërcënimet dhe sulmet ndaj efektivëve të policisë. Meta së bashku me shoqëruesit e tij  kanë hyrë me forcë në zyrat e FRD-së, ku nuk kanë munguar as kërcënimet nga kreu i shtetit, duke u thënë policëve që “të largohen ose do i çojë në burg me duart e tij”. Kjo sepse sipas Metës, kërkesa e Bashkisë që FRD-ja të lirojë zyrat është me prapavijë politike.