Ngjarja e rëndë në Rafinerinë e Naftës në Ballsh ndodhi vetëm pak javë pas rikthimit të saj në punë përmes një marrëveshjeje me Ionian Refining dhe Trading Company. Shoqëria arriti të gjejë gjuhën e përbashkët me bankat kreditore të ARMO-s si dhe punonjësve të saj. Lajmi për rifillimin e punës u përshëndet vetëm pak ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama, i cili tha se falë marrëveshjesh iu dha fund kalvarit të gjatë të ARMO-s, por veçanërisht problemeve ekonomike të punonjësve të saj, të cilët kishin muaj e muaj pa marrë pagat.
 
Por menjehërë pas rikthimit të rafinerisë në punë, 54 prona të ARMO-s përfunduan në ankand për shkak të borxheve të pashlyera ndaj një banke. vlera totale e pronave llogaritet 25 milionë dollarë. Praktikisht në shitje dolën të gjitha trojet e objektet e rafinerisë së Ballshit në pronësi të ARMO, duke nisur nga ndërtesat e magazinat, te zyrat, repartet, qendra shëndetësore madje dhe rrugët e Kombinatit të Thelluar të Përpunimit të Naftës.
 
E megjitthë ankandin, Ionian Refining dhe Trading Company, ka vazhduar punën gjatë gjithë këtyre. Kjo edhe pse disa kreditorë të tjerë kanë vënë sekuestro mbi asetet e saj. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në QKR, Ionian Refining dhe Trading Company rezulton e regjistruar në Shqipëri më 29 prill të vitit 2016. Kompania është themeluar nga një shoqëri e regjistruar në Ishujt Virxhin britanikë, e njohur si parasjë fiskale. Përfaqësues ligjor i degës Shqiptare rezulton Taulant Musabelliu, ndërsa i kompanisë mëmë Ali Hasan Rahman.
 
Prej kohësh kompania ARMO është në një situatë tejet të vështirë financiare. Një pjesë e mirë e aseteve të saj rezultojnë të sekuestruara apo të nxjerra në ankand nga disa banka kreditore. Sipas vlerësimeve, borxhet e ARMO-s arrijnë në total rreth 250 milionë euro, 200 milionë ndaj bankave, dhe rreth 50 milionë euro detyrime ndaj tatimeve.

Aktualisht 85% e kompanisë zotërohet nga një grup azer i quajtur Heni Asets dhe 15% nga shteti shqiptar. Grupi azer e bleu kompaninë nga Rezart Taçi, por u largua sërish pasi u njoh me situatën e borxheve të saj. Aktualisht vetëm njëra prej dy rafinerive të saj është në gjendje funksionale, por pa arritur as të mbulojë shpenzimet e pagave të punonjësve, të cilët kanë protestuar në vazhdimësi për shkak të mosshlyerjes së pagave.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com